Lidhje

Kerry: Arritja e një marrëveshjeje me Iranin nuk kërcënon Izraelin


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka të drejtën për të shprehur kundërshtimin e tij për një marrëveshje të mundshme bërthamore me Iranin, por shqetësimet e tij janë të pabaza.

Kryeministri Netanyahu ka udhëhequr një fushatë publike kundër negociatave ndërkombëtare që janë duke vazhduar me Iranin, duke e quajtur marrëveshjen të keqe për Izraelin dhe një dhuratë për Iranin.

Dje, sekretari Kerry tha se ai ka "respekt të madh" për frikën e udhëheqësit izraelit se marrëveshja do ta vendoste vendin e tij në një pozitë të pambrojtur. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj sigurisë së Izraelit.

Gjashtë fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania e Madhe, Franca, Kina dhe Gjermania do të marrin pjesë në raundin e dytë të bisedimeve me Iranin nesër në Gjenevë, ndërkohë që ato po përpiqen të diskutojnë shqetësimet e tyre se Irani po zhvillon armë bërthamore.
XS
SM
MD
LG