Lidhje

Ambasada amerikane tërhiqet nga monitorimi në Këshillin Prokurorial të Kosovës


Ambasada amerikane në Prishtinë, tha të premten se tërhiqet nga proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke i cilësuar të dëmtuara rëndë këto procese.

Në një njoftim të ambasadës thuhet se për vjet me radhë ajo ka luajtur një rol monitorues në këto procese.

“Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë dëmtuar rrënjësisht. Atyre u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit. Meqenëse përfshirja e mëtejme e Ambasadës, mund të interpretohet si miratim i këtij sistemi të dëmtuar, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet në komunikatë.

Ambasada nënvizon se ndryshimet në kuadrin ligjor që mbështet Këshillin Prokurorial për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi janë të nevojshme.

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë javës shpalli zgjedhjet për anëtarë të rinj nga radhët e prokurorive themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh “thellë i shqetësuar” me vendimin e ambasadës amerikane

“Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, shkroi ai në rrjetin facebook.

Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se bashkë më shpalljen e zgjedhjeve, janë miratuar edhe dorëheqjet e disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial, pak ditë para se të shpallet konkursi për kryeprokurorë të shumicës së Prokurorive Themelore. Konkursi sipas ligjit duhet të shpallet me 1 nëntor.

Ky institut kritikoi “praktikën e kundërligjshme të dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse”.

Ai tërheq vërejtjen se sipas ligjit, “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngrihet në detyrë në sistemin prokurorial”.

Kjo praktikë, thuhet në reagimin e institutit, “paraqet mungesë të integritetit, politikë të rrezikshme për sistemin prokurorial dhe dëshmi për kapjen e sistemit prokurorial nga një numër i vogël i prokurorëve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG