Lidhje

Isa Mustafa kërkon heqjen e tarifave – Grenell e quan udhëheqës të guximshëm

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi tha të dielën se heqja e tarifave ndaj mallrave serbe që nga nesër, do të ishte një fillim i mbarë për më shumë përparim.

Ai i bëri këto komente në llogarinë e tij në twitter, duke i bërë jehonë deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili bëri thirrje që të hiqen tarifat që nesër ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zoti Mustafa shkroi në rrjetet sociale tha se aktualisht “tarifa objektivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës”, tha ai.

Mustafa kërkon heqjen e tarifave, Grenell e quan udhëheqës të guximshëm
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:28 0:00

Zoti Mustafa shkroi se megjithatë shumicës dërmuese iu mbushet mendja se Shtetet e Bashkuara në rend të parë dhe Bashkimi Evropian mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të bisedimeve, ta njohë shtetin e Kosovës. “Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do t’i japë përkrahje qeverisë dhe kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të.

“Nëse dikush luhatet, Lidhja Demokratike, deputetët e saj dhe anëtarët e qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës” shkroi zoti Mustafa duke nënvizuar se në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, Lidhja Demokratike mbetet e përkushtuar për zbatimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që qeveria e bashkërendon me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Ambasadori Grenell duke e quajtur Isa Mustafën udhëheqës të guximshëm tha se “heqja e tarifave nesër do të ishte një fillim i shkëlqyeshëm për shumë më tepër përparim. Zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa tarifat të mos hiqen”, shkroi zoti Grenell.

Të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti propozoi fillimin e heqjes së kushtëzuar të tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, që u vendosën në nëntor të vitit 2018 në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Ai tha se nga 15 marsi do të hiqen tarifat në lëndën e parë si shenjë e vullnetit të mirë dhe nëse Serbia i jep fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, më 1 prill do të hiqen tërësisht tarifat për një periudhë 90 ditëshe.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës, tha se qëndrimi i tillë nuk është bashkërenduar me të dhe se ajo nuk do ta votojë miratimin e tij.

Propozimi i kryeministrit Kurti ndërkaq nuk u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat thanë se nuk i mbështesin masat gjysmake dhe se qëndrimi është amerikan është që tarifat duhet të hiqen tërësisht.

Ndërsa, Bashkimi Evropian u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit Kurti, si hap i parë drejt heqjes së tërësishme të tarifave ndaj mallrave serbe.

Çështja e heqjes së tarifave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Presidenti i vendit ka bërë thirrje që të hiqen menjëherë për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Partitë opozitare kanë thirrur për të hënën një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit për të diskutuar lidhur me paralajmërimet për heqjen e tarifave, I ashpër ndaj këtyre paralajmërimeve është shprehur ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të penguar një gjë të tillë.

Rama – Haradinaj: Polemikë në distancë rreth tarifave

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkroi të dielën në rrjetet sociale se “Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës”, shkroi ai duke nënvizuar qëndrimin e tij kundër qasjes së ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Zoti Haradinaj tha ndërkaq se “është i kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit. Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, shkroi ai.

This item is part of

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG