Lidhje

Kosovë, përurohet ndërtesa e ambasadës amerikane


Të enjten në Prishtinë, u përurua ndërtesa e ambasadës së Shteteve të Bashkuara, që shënoi njëkohësisht edhe manifestimin qendror me rastin e 243 vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Njëzetetre vjet më parë, në qershor të vitit 1996, Shtetet e Bashkuara hapën në Prishtinë Zyrën Informative, e cila pas luftës u shndërrua në misionin e Shteteve të Bashkuara për t’u shndërruar në ambasadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Në ceremoninë e përurimit të ndërtesës, themelet e së cilës u hodhën në maj të vitit 2015, ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, tha se “qytetarët e Kosovës e meritojnë të trajtohen si të gjithë fqinjët rreth jush dhe kjo do të thotë liberalizim vizash. Bashkimi Evropian e di se Kosova i ka përmbushur kriteret dhe shpresoj që shpejt do t'i hap dyert për ju. Unë do të vazhdojë të angazhohem për këtë", tha ai, duke nënvizuar se Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet e botës, të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe në NATO.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnet, tha se Kosova duhet të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

"Amerikanët kurrë nuk i ndalin përpjekjet për të ardhme më të mirë e as ju nuk duhet të ndaleni. Kam besim të plotë në aftësinë e qytetarëve dhe prijësve të këtij vendi të madh për ta vazhduar përparimin. Për ta çliruar energjinë e sektorit tuaj privat. Për ta luftuar korrupsionin e për ta forcuar sundimin e ligjit. Për të ndërtuar besim ndërmjet komuniteteve dhe për të gjetur rrugën për t'u kthyer në tryezën e negociatave me Serbinë, për të ndërtuar paqe të qëndrueshme", tha zoti Kosnett.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova janë ndërtuar mbi vlera të njëjta prandaj institucionet në Kosovë mbeten të përkushtuara ndaj tyre.

"Jemi të përkushtuar që të punojmë me një qeverisje më efektive, në luftë të pa kompromis kundër korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krijimin e mundësive për vende pune të qytetarëve dhe mos largimin e tyre nga Kosova, rritjen e konsensusit politik të brendshëm, ndërtimin e fainjësisë së mirë me të gjitha vendet dhe përfundimisht tejkalimin e izolimit”, tha presidenti Thaçi.

Përvjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara është kremtuar edhe në kampin e trupave amerikanë “Bondsteel” në Kosovë. Kryeministri i Kosoëvs, Ramush Haradinaj, shkroi në rrjetet sociale se “Kosova dhe Amerika ndajnë vlerat e përbashkëta, duke nderuar të gjithë ata që janë flijuar për ta ngritur ShBA-në, si vendi i idealeve të lirisë dhe demokracisë, për të gjithë. Besnikë të këtyre idealeve, të cilave iu prinë Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë”.

Në Kosovë vazhdon të çmohet shumë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ky rol shihet i pazëvendësueshëm edhe në proceset e ardhme politike të Kosovës dhe përmbushjen e aspiratave të saj për integrimet euro atlantike.

Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Deri tash mbi 110 vende të botës e kanë njohur pavarësinë e shtetit të ri e cila kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG