Lidhje

Senatori Rand Paul - në mbështetje të idesë për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova


Senatori republikan nga Kentucky, Rand Paul, mbështeti deklaratën e senatorit David Perdue nga Georgia për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Në një postim në rrjetin twitter ai shkroi se "e mbështes paqen dhe tregtinë me të gjithë. Unë e inkurajoj Kosovën që të ndryshojë qasjen dhe të punojë me Serbinë për një paqe të qëndrueshme. Koha për t'i sjellë trupat tona në shtëpi pas kaq vitesh atje...”, shkroi ai.

Të martën, senatori Perdue, shkroi se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë praninë e tyre në Kosovë nëse ajo nuk është e përkushtuar për paqen.

Postimi i senatorit Perdue, u mbështet nga i dërguari i posaçëm i presidentit Trump, ambasadori Richard Grenell, nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe i biri i presidentit Trump, Donald Trump Jr., i cili në rrjetin twitter shkroi se pajtohet me senatorin Perdue. “Janë 650 trupa amerikane në Kosovë, koha që t’i kthejmë në shtëpi”, shkroi ai.

Postimi i senatorit Perdue ngjalli reagime e shqetësime në Kosovë ku prania amerikane dhe përfshirja në proceset politike vlerësohen të pazëvendësueshme.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se kryeministri i vendit, Albin Kurti, duhet të marrë vendime që i takojnë e që janë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe orientimit euro-atlantik.

"As vet liria, as shteti dhe as ekzistenca jonë nuk ka kuptim pa partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të gjithë dëshmitarë se orientimi dhe vetmja alternativë e jona është që të jemi pjesë e BE-së. Nuk kemi alternativë tjetër por edhe jemi dëshmitar që të tjerët mund të na lënë edhe në gjysmë të rrugës siç na kanë lënë shpesh në baltë, siç na kanë ndëshkuar me liberalizimin e vizave. E vetmja adresë dhe i vetmi partner strategjik që na ka qëndruar afër në kohët më të rënda edhe sot dhe me besim për të ardhmen kanë qenë dhe janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet të prodhojmë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën dhe në asnjë rrethanë të prodhojmë argumente për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës sepse këto relacione aktuale dhe këto mesazhe që vijnë dhe ky realitet që është krijuar realisht është një realitet duartrokitës për aktorët anti pavarësi dhe fërkim i duarve i të gjithë atyre që kanë pritur që Kosova të lëkund këtë raport", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se nuk beson që trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova, ndërsa u gjet nën thirrjet e partnerit të koalicionit të tij qeverisës si dhe institucioneve dhe partive politike që të ndërmarr verime për të shmangur tensionet me Shtetet e Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara e kanë shtuar trysninë ndaj qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe që ishin vendosur në nëntor të vitit 2018 si kundërpërgjigje ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës dhe janë shprehur të pakënaqura me qëndrimin e kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG