Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në rrugën e saj evropiane Kosova duhet të punojë për një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, e cila ka në qendër njohjen e ndërsjellë.
Këto komente janë pjesë një letrë me të cilën presidenti Biden përgëzoi ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e përvjetorit të pavarësisë.
Në letrën e shpërndarë nga zyra e zonjës Osmani thuhet se "lidhjet ndërmjet popujve tanë mbeten të fuqishme, të mbështetura në përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe qëndrueshmërinë tuaj si një vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik".
"Mezi presim të punojmë me qeverinë e ardhshme për ta çuar përpara Kosovën në rrugën e saj evropiane", thuhet në letër.
"Ka punë për të bërë, përfshirë edhe sigurimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse normalizimi me Serbinë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë e cila forcon sundimin e ligjit, përballjen më pandeminë globale të COVID-19 dhe nxitë rritjen ekonomike, që mundëson një të ardhme përparimtare për të gjithë qytetarët e Kosovës".
Duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje, presidenti Biden shkroi se për të "Kosova vazhdon të ketë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti për periudhën kur djali ynë i ndjerë, Beau Biden, punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës".
Ditë më parë presidenti Biden, i bëri thirrje presidentit të Serbisë që të punojë drejt reformave evropiane dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
Kosova e Serbia sivjet mbushin dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Bisedimet që rifilluan vitin që lamë pas, pritet të vazhdojnë pas formimit të institucioneve të Kosovës e cila të dielën më 14 shkurt mbajti zgjedhjet e reja parlamentare.
Më katër shtator të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë një dakordim për normalizimin ekonomik ndërmjet tyre.
Kosova kremton të mërkurën 13 vjetorin e pavarësisë së saj e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Facebook Forum