Lidhje

McCain: Shtetet e Bashkuara të përkushtuara për Kosovën

  • Leonat Shehu

Senatori amerikan, John McCain, tha sot se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në rrugën e saj evropiane, ndërsa vlerësoi lartë angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku është takuar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ndërsa foli në parlamentin e Kosovës që u mblodh në seancë solemne për nder të tij.

“Gjatë udhëtimit tim në rajonin e Evropës Jug-lindore, mesazhi im është i thjeshtë, Angazhimi i Shteteve të Bashkuara për Evropën e lirë dhe në paqe mbetet e hekurt, dhe miqtë e mi, një Kosovë e pavarur, e fortë demokratike dhe shumë etnike si një anëtar i plotë i familjes evropiane, është thelbësor për suksesin e atij vizioni”, tha senatori McCain duke nënvizuar se pavarësisht mosmarrëveshjeve herë pas here në Washington, mbështetja amerikane ka qenë gjithmonë dypartiake për Kosovën që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta.

Por dua që ju të dini, seriozisht dua që ju ta dini se anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga të dyja partitë politike janë plotësisht të angazhuara që të punojnë me ju për të mbështetur paqen dhe begatinë në Kosovë dhe në tërë rajonin”, tha ai.

Senatori McCain, i cili tha se po qëndron në Kosovë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së saj, vlerësoi arritjet e saj, por nënvizoi se ka ende punë për tu bërë dhe për këtë Kosova nuk do të mbetet pa mbështetje. Ai ndërkaq përgëzoi institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të luftuar terrorizmin.

“Besoj se vendi juaj nuk ka marr vlerësimin e merituar për qasjen aktive që është ndërmarrë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Legjislacioni i miratuar nga ky parlament ka ndihmuar në uljen e numrit të ushtarëve të huaj në rrugën e tyre drejt zonave të konfliktit”, tha ai.

Senatori McCain tha se ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe liberalizimi i vizave do të ishte një hap i rëndësishëm drejt rrugës evropiane të Kosovës. Ai tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar do ta kthejnë mbrapa Kosovën dhe sipas tij reformat në sundimin e ligjit janë të rëndësishme për mundësitë ekonomike të Kosovës.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin sigurinë në Kosovë dhe sipas është shumë e rëndësishme që shndërrimi i Forcës së Sigurisë në ushtri të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Senatori McCain tha se beson që e ardhmja paqësore dhe përparimi i Kosovës varet nga suksesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Mesazhi im për ju është i njëjtë me atë që i transmetova edhe kryeministrit serb Vuçiç në fillim të kësaj jave. Çuarja përpara e dialogut të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara është në interesin e Kosovës dhe serbëve. Është jetike për Kosovën dhe Serbinë të ndajnë tiparin evropian dhe është thelbësore për qëndrueshmërinë në Evropën juglindore”, tha senatori McCain duke nënvizuar se një pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sado i vështirë, është i mundur.

“Por le të jetë Kosova vendi që i tregon përsëri botës se pajtimi është i mundur. Dhe duke e bërë këtë, duke ecur në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë, ju nuk do të ecni vetëm. Amerika dhe unë do të jemi me ju. Po, ne do të jemi me ju dhe me vendet e Evropës Juglindore për arsyen e thjeshtë, sepse nëse vendi im e lë vetëm këtë rajon, atëherë e lë veten në rrezik”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG