Lidhje

Zyrtarët të shqetësuar nga abuzimi seksual në radhët e ushtrisë


Zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë janë angazhuar të çrrënjosin abuzimin seksual, një problem në të gjitha degët e forcave të armatosura. Viktimat e këtij abuzimi janë kryesisht femrat, por edhe homoseksualët, gra e burra, kanë raportuar raste ofenduese. Në disa raste, fajtorët janë oficerë që e kanë për detyrë parandalimin e abuzimeve.

Shkeljet me motive seksuale në ushtri mbeten problem, megjithë masat parandaluese që janë marrë kohët e fundit, duke e bërë të qartë se ky problem nuk mund të zgjidhjet vetëm nga ushtria. Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, tha në një konferencë shtypi se çrrënjosja e këtij problemi është përparësia e tij kryesore.

"Struktura e forcës tonë është themeli i sistemit. Pavarësisht nga teknologjitë e reja që ne përdorim dhe cilësia e tyre, pavarësisht nga armatimet tona të avancuara dhe fondet që ne kemi, asgjë nuk funksionon nëse njerëzit nuk i bëjnë ato të funksionojnë. Prandaj ky problem duhet të jetë në qendër të vemendjes së udhëheqjes dhe përparësive tona”.

Ushtria konfirmoi javën e kaluar se një e treta e oficerëve të ngarkuar për të parandaluar ofendimet seksuale janë të implikuar në raste ngacmimesh. Gjeneral Martin Dempsey, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane bëri thirrje për ndërgjegjësimin e e mëtejshëm të trupave për këtë problem.

"Çdo anëtar i forcave të armatosura, në çdo njësi të çdo niveli, duhet të jetë i vemendshëm për këtë problem dhe duhet të ndihmojnë në zgjidhjen e tij. Duke punuar sëbashku, ne mund dhe do të rifitojmë vetbesimin dhe besimin e popullit amerikan”.

Disa viktima të abuzimit seksual dëshmuan javën e kaluar në Uashington. Jennifer Norris tha se komandantët ushtarakë shpesh nuk i përfillin ose i lënë mënjanë viktimat.

"Sistemi është i ashpër me viktimat”.

Megjithëse shumica e viktimave janë gra, Brian Lewis që është homoseksual dëshmoi se ishte dhunuar nga një oficer superior në bordin e një anijeje në vitin 2000. Ai tha se ata që i raportojnë abuzimet etiketohen shpesh si gënjeshtarë dhe ngatërrestarë”.

"Nuk do të thotë se ne nuk jemi patriotë që i raportojmë këto shkelje. Ushtria na ka tradhëtuar”.

Dëshmitë në Kapitol u dhanë pak para se Presidenti Barak Obama të takohej me zyrtarët e lartë të ushtrisë në Shtëpinë e Bardhë.

"Jo vetëm që ky është krim, jo vetëm që është e turpshme dhe ofenduese, por kjo e ka bërë ushtrinë më pak të efektëshme nga sa duhet të jetë”.

Një grup dypartiak ligjvënësish paraqiti një projektligj të enjten për ndëshkimin e abuzimeve seksuale në radhët e forcave të armatosura. Ky do t’i parandalonte oficerët të trajtonin apo edhe të shpërfillnin rastet e raportuara nga vartësit.
XS
SM
MD
LG