Lidhje

Misioni amerikan në OSBE: Kosova të integrohet si partner i barabartë


Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se integrimi i Kosovës është me rëndësi për paqen e përparimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë duhet të luajë rolin e saj në këtë proces.

Këto komente u bënë nga përfaqësuesja e Misionit të Shteteve të Bashkuara në OSBE, Lane Darnell Bahl, pas një raportimi të shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu rreth veprimtarive të kësaj organizate.

Siç kemi thënë më parë, qëndrueshmëria, përparimi dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor janë të arritshme vetëm kur Kosova të integrohet si një partner i plotë dhe i barabartë. OSBE-ja luan një rol në çuarjen e rajonit drejt këtij qëllimi”, tha ajo.

Në fjalën e saj që transmetohet në faqen e misionit, thuhet se përgjatë një viti sfidues, “ne kemi parë suksese të mëdha drejt arritjes së paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, duke përmendur përpjekjet e qeverisë amerikane për të çuar përpara lidhjet midis Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes punës së administratës së presidentit (Donald) Trump, përfshirë atë të të dërguarit të posaçëm, Richard Grenell, në shtator të këtij viti, Serbia dhe Kosova u angazhuan në marrëveshjet historike të normalizimit ekonomik. Ne besojmë se këto marrëveshje do të sjellin rritjen e nevojshme ekonomike dhe vende të punës në Serbi dhe Kosovë. Siç e përmendëm në Këshillin e Përhershëm muajin e kaluar, duke rritur besimin dhe bashkëpunimin midis palëve, këto marrëveshje u japin shtytje bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, thuhet në fjalim.

Misioni amerikan vlerësoi punën e misionit të OSBE-së në kohën e pandemisë së COVID-19, duke nënvizuar mes tjerash ndihmën për të ofruar mbështetje ligjore për viktimat e dhunës në familje.

Kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rritjes prej 12.9 për qind të rasteve të dhunës në familje në Kosovë nga janari në gusht të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë kohore në vitin 2019”, thuhet mes tjerash në fjalim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG