Lidhje

Jep dorëheqjen sekretarja amerikane e Arsimit


Sekretarja amerikane e Arsimit, Betsy DeVos, është bërë anëtarja e dytë e kabinetit që jep dorëheqjen pas sulmit të së mërkurës në Kapitol.

Në letrën e dorëheqjes, sekretarja DeVos fajësoi presidentin Donald Trump për nxitjen e tensioneve që çuan në sulmin e dhunshëm në selinë e demokracisë së kombit. Ajo thotë se “nuk ka dyshim për ndikimin e retorikës suaj mbi situatën dhe kjo ishte pike kthese për mua”.

Lajmi për dorëheqjen e zonjës DeVos u dha fillimisht nga Wall Street Journal.

Sekretarja amerikane e Transportit, Elaine Chao, tha të enjten se do të japë dorëheqjen. Zonja Chao, gruaja e udhëheqësit të shumicës së senatit, Mitch McConnell, tha se dorëheqja e saj do të hynte në fuqi të hënën. Ajo tha se sulmi "më ka shqetësuar thellë në një mënyrë që unë thjesht nuk mund ta injoroj".

Në një letër lamtumire drejtuar Kongresit në fillim të kësaj jave, sekretarja DeVos u kërkoi ligjvënësve të refuzojnë politikat e mbështetura nga presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe të mbrojnë politikat e administratës së presidentit Trump që zoti është zotuar t’i eliminojë.

Ngjarjet e së mërkurës në Kapitol nxitën një sërë dorëheqjesh nga administrata e presidentit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG