Lidhje

Pushteti presidencial, çështje kyçe në betejën për postin e Gjykatës së Lartë


Kandidati i Presidentit Donald Trump për Gjykatën e Lartë, gjykatësi Brett Kavanaugh, mund të përballet me pyetje të ashpra në seancën për konfirmimin e tij në javët e ardhshme. Një nga drejtimet ku pritet që t’i bëhet më shumë presion, është pikëpamja e tij për kompetencat e Presidentit që ai mendon se duhet të jenë shumë të gjera. Është një aspekt ku pritet që demokratët të përqendrohen në lidhje me hetimin për Rusinë.

“Është nder dhe privilegj të njoftoj se do të emëroj gjykatësin Brett Kavanaugh për postin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara”.

Kur u emërua nga Presidenti Trump, zoti Kavanaugh premtoi se do të sillte në gjykatë një mënyrë të menduari të pavarur.

“Unë besoj se një sistem gjyqësor i pavarur është gur themeli në republikën tonë kushtetuese. Nëse konfirmohem nga senati, do të mbaj një mendje të hapur në çdo rast dhe gjithmonë do të përpiqem që të respektoj kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe shtetin ligjor amerikan”.

Megjithatë demokratët kanë premtuar që ta kundërshtojnë emërimin e zotit Kavanaugh, të shqetësuar se pikëpamjet e tij konservatore mund ta ndyshojnë prirjen e Gjykatës së Lartë nga e djathta për një brez të tërë:

“Zoti president, ndjehem i nderuar që ju kam shërbyer ju dhe presidencës për pesë vjet e gjysëm”.

Demokratët në veçanti kanë shprehur shqetësim për pikëpamjen e zotit Kavanaugh për kompetenca të gjera presidenciale, që e ka burimin tek puna e tij për Presidentin George W. Bush.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Chuck Schumer:

“Zoti Kavanaugh jo vetëm që ka thënë që presidenti nuk mund të detyrohet të merret në pyetje, por që një president nuk duhet të hetohet. Zoti Kavanaugh, a është presidenti mbi ligjin?”

Zoti Kavanaugh ka shkruar se presidentëve nuk duhet t’u tërhiqet vëmendja nga hetime civile ose penale.

Eksperti ligjor Jonathan Turley ka një pikëpamje të gjerë për kompetencat presidenciale:

“Qëndrimi që i vjen më natyrshëm zotit Kavanaugh është neni II i Kushtetutës për kompetencat e Presidentit. Ai ka prirjen që të mendojë se presidentët duhet të kenë shumë pushtet. Kjo vetëm do ta ndihmonte Presidentin Trump nëse çështja shkon para gjykatës. Por kjo është filozofia e tij. Nuk do të thotë se është i njëanshëm”.

Pikëpamja e zotit Kavanaugh i shqetëson aktivistët liberale si Drew Courtney:

“Brett Kavanaugh ka një këndvështrim të frikshëm për pushtetin presidencial dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme po të kesh parasysh hetimet që po bëhen aktualisht”.

Nuk ka dyshim që zoti Kavanaugh do të pyetet intensivisht për këtë çështje gjatë seancës së konfirmimit, veçanërisht duke pasur parasysh hetimin për lidhjet me Rusinë, thotë analistja ligjore, Kate Shaw.

“Prandaj, nëse për shembull presidenti vendos që të mos e bëjë intervistën dhe prokurori i posaçëm, Mueller përpiqet ta detyrojë ligjërisht presidentin, është një pyetje e hapur nëse mund ta bësh një gjë të tillë me një president në detyrë dhe kjo çështje mund të përfundojë shumë shpejt në Gjykatën e Lartë nëse ka një luftë ligjore lidhur me të”.

Aleatët republikanë të zotit Kavanaugh thonë se janë të përgatitur për një sërë sulmesh lidhur me karrierën e tij, përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Mitch McConnell.

“Kjo përpjekje e ulët politike për nxitje frike është ofendim për zgjuarsinë e popullit amerikan sepse amerikanët e kuptojnë ndryshimin mes një posti politik dhe një posti juridik”.

Konfirmimi i zotit Kavanaugh kërkon një shumicë votash në Senat ku republikanët kanë një epërsi të lehtë 51 me 49.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG