Lidhje

Uashington, reagimet pas provës së Phenianit


Presidenti amerikan Donald Trump u përgjigj me forcë ndaj provës së fundit bërthamore të Phenianit, duke e quajtur Korenë e Veriut një vend të papërgjegjshëm që është bërë një kërcënim i madh. Shumë vetë shtrojnë pyetjen se çfarë hapash do të marrë zoti Trump për të reaguar ndaj zhvillimeve të fundit.

Pas një shërbese në kishë të dielën, presidenti nuk dha një përgjigje të prerë për një përgjigje të mundshme ushtarake ndaj provës koreano-veriore, por në një sërë postimesh në Twitter, ai tha se “retorika dhe veprimet e Koresë së Veriut, vazhdojnë të jenë shumë armiqësore dhe të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara”. Muajin e kaluar presidenti bëri një paralajmërim të qartë për Phenianin.

"Është në të mirën e Koresë së Veriut të mos kërcënojë më Shtetet e Bashkuara, përndryshe do të përballet me një reagim aq të ashpër sa nuk është parë kurrë”.

Prova e së dielës lë të kuptohet se Koreja e Veriut mund të ketë zhvilluar një bombë hidrogjeni.

“Ky hap, nëse është e vërtetë që kanë zhvilluar bombë me hidrogjen, është një përshkallëzim serioz në aftësinë e tyre për të kryer vrasje masive”, tha senatori republikan Ted Cruz.

Anëtarët e Kongresit nga të dyja partitë thanë se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të forcojnë aftësitë e mbrojtjes nga raketat dhe të përdorin sanksionet ekonomike për të detyruar Korenë e Veriut të ndryshojë qëndrim.

"Duhet përdorur presioni ekonomik jo vetëm ndaj Koresë së Veriut por edhe çdo institucioni financiar, çdo kompanie që bën biznes me Korenë e Veriut. Pothuajse të gjithë ata varen nga sistemi financiar amerikan. Prandaj ndërprerja e fondeve të tyre është një tjetër pjesë kritike”, tha senatori Cruz.

Përfshirja e Kinës në ekonominë e Koresë së Veriut i jep një rol qendror në kontrollin e krizës, thotë kongresmeni demokrat, Joaquin Castro.

"Një pjesë e madhe varet nga Kina sepse sektori ekonomik koreano-verior është i lidhur me Kinën. Pradaj varet nga vullneti i Kinës për të ndihmuar, dhe siç ka thënë presidenti, ky vullnet është rritur. Por edhe tek vullneti ynë për të vendosur sanksione ndaj institucioneve kineze që ende bëjnë biznes me Korenë e Veriut”.

Megjithëse sanksionet aktuale, retorika e fortë dhe demonstrimi i forcës nuk kanë arritur të frenojnë teknologjinë koreano-veriore bërthamore dhe me raketa, duket se nuk ka ndonjë besim të madh se opsionet ushtarake do ta përmirësonin gjendjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG