Lidhje

SHBA: Republikanët rishkojnë strategjinë e tyre


Në një analizë që i bëri vetes, Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara arriti në përfundimin se i humbi zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi pjesa më e madhe e elektoratit amerikan i shikon republikanët si të shkëputur nga realiteti dhe vetë partinë si një grupim të përbërë nga njerëz të moshuar dhe jashtë mode.

Presidenti demokrat Barak Obama fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit, ndërsa demokratët fituan vende si në Senat edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ndonëse republikanët ende kanë shumicën në këtë të fundit. Këto ishin zgjedhjet e pesta presidenciale në gjashtë të fundit, ku kandidatët demokratë fituan votën popullore.
Duke patur parasysh këtë prirje, në të cilën votuesit e rinj dhe pakicat gjithnjë e më tepër favorizojnë kandidatët demokratë, Partia Republikane ndërmori një analizë për të parë se ku ishin gabimet.

Kryetari i Partisë, Reince Priebus, tha sot se nuk ka një arsye të vetme për humbjen. Por ai përmendi një numër të metash. Ai tha se republikanët dhe kandidati për president Mitt Romney patën një mesazh të dobët, ndërkohë që procesi i emërimit brenda partisë u zgjat së tepërmi dhe duhet shkurtuar, pasi e dëmtoi partinë.
XS
SM
MD
LG