Lidhje

SHBA - Rusi: Pa marrëveshje për Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po kthehet në vend pasi dështoi të arrinte një marrëveshje me homologun e tij rus për një armëpushim në Siri pas një periudhe diplomatike intensive.

Të dyja vendet ende duhet të zgjidhin atë që ata e cilësojnë si “çështje teknike” dhe sipas zyrtarëve të departamentit të Shtetit, diskutimet mes negociatorëve amerikanë dhe rusë do të vazhdojnë këtë javë.

Në takimet në kuadër të takimit të nivelit të lartë të G-20 në Hangzhou të Kinës, presidenti amerikan dhe ai rus zhvilluan bisedime mbi Sirinë që presidenti Obama i cilësoi “profesionale” dhe “konstruktive por jo vendimtare.”

"Duke patur parasysh mangësitë e besimit që ekzistojnë, këto janë negociata të vështira. Ne nuk e kemi mbyllur edhe këtë hendek besimi në mënyrë që të mendojmë se ku mund të punojmë së bashku, u tha presidenti amerikan gazetarëve në përfundim të takimit të G-20.

Zoti Obama shtoi se e kishte udhëzuar zotin Kerry ndërsa presidenti rus Vladimir Putin kishte biseduar me ministrin e tij të Jashtëm, Sergey Lavrov, “të punonin gjatë ditëve në vazhdim” me shpresë për një marrëveshje që mund të çojë “në bisedime serioze për një zgjidhje politike të problemit” me të gjitha palët e përfshira direkt ose indirekt në konfliktin sirian.

Zoti Putin u tha gazetarëve në një tjetër konferencë shtypi se bisedimet me Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë po vazhdojnë përsa i përket Sirisë dhe negociatorët kanë bërë hapa përpara.

Gjatë 10 ditëve të shkuara sekretari i Shtetit ka qënë në komunikim me ministrin e Jashtëm rus Lavrov në takime ballë për ballë në Gjenevë dhe Hangzhou dhe me biseda telefonike mes tyre, ndërsa i dërguari i lartë amerikan ka bërë ndalesa në Bangladesh dhe Indi.

Kerry dhe këshilltarë të lartë kanë ritheksuar se nuk duan një marrëveshje të dobët sa për të njoftuar diçka, por që Uashingtoni dhe Moska të bien dakort për një marrëveshje reale që do të sillte fundin e armiqësive në Siri.

Privatisht diplomatët amerikanë i kanë cilësuar negociatat me homologët e tyre rusë si prova për seriozitetin e Moskës për të arritur një marrëveshje.

XS
SM
MD
LG