Lidhje

SHBA, fati i dy komplekseve ruse të konfiskuara


Rusia thotë se rezervon të drejtën e kundërpërgjigjes lidhur me konfiskimin nga administrata Obama të dy komplekseve ruse dhjetorin e kaluar. Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti i atëhershëm, Barak Obama, dëboi gjithashtu 35 diplomatë rusë, duke i akuzuar për spiunazh dhe duke thënë se këto masa merreshin si ndëshkim ndaj Moskës për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane. Tani Rusia thotë se durimi i saj po mbaron, dhe kërkon që administrata e Presidentit Trump t’ia kthejë komplekset.

Dy komplekset piktoreske ruse - njëri në Maryland dhe tjetri në Nju Jork, janë objekt i një mosmarrëveshjeje midis Moskës dhe Uashingtonit që vazhdon ende. Rusia thotë se fjala është për dy ndërtesa që përdoren thjesht për qëllime argëtimi. Agjencitë amerikane të zbulimit thonë se ato përdoreshin për të kryer përgjime.

E pyetur nga gazetarët, zëdhënësja Heather Nauert refuzoi të komentonte mbi statusin e negociatave apo të thoshte nëse Sekretari i Shtetit Rex Tillerson është për kthimin e komplekseve Rusisë me kushte të caktuara:

"Unë nuk do ta karakterizoja në këtë mënyrë. Një nga përparësitë këtu është që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të mund të kenë një marrëdhënie të mirë dhe të qëndrueshme, në mënyrë që të punojmë së bashku në fushat e bashkëpunimit të ndërsjelltë".

Rusia ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë:

"Kjo pasqyron praktikën standarde diplomatike sovjetike dhe ruse. Kur ne kapim agjentët e tyre dhe pastaj i dëbojmë, ata menjëherë dëbojnë të njëjtin numër diplomatësh amerikanë. Pra, ata kurrë nuk e pranojnë fajin. Kur ne marrim masa për t'iu kundërpëgjigjur veprimeve të tyre flagrante, ata gjithnjë ndërmarrin kundërhapa. Është thjesht mënyrë e tyre e veprimit”, thotë ambasadori John Herbst.

Zoti Herbst thotë se Moska mund të kundërpërgjigjet në disa mënyra:

"Edhe ne amerikanët kemi komplekse pushimi, ose të paktën një të tillë në Rusi. Kuptohet që ata mund ta konfiskojnë atë. Më kujtohet se kur Presidenti Obama mori këto masa, pati hamendje se rusët do të mbyllnin shkollën kryesore të përdorur nga fëmijët e ambasadës sonë. Kjo do të ishte vërtet diçka e keqe. Unë pres dhe shpresoj që kjo të shkaktonte një reagim shumë të fortë nga ne nëse ata do të vepronin ashtu.”

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Ryabkov u takua të hënën në Departamentin e Shtetit me nënsekretarin amerikan të Shtetit Thomas Shannon. I pyetur nëse Rusia është afër rimarrjes së komplekseve, Ryabkov u përgjigj: "Pothuajse".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG