Lidhje

SDF, SHBA fillojnë një ofensivë të re kundër ISIS-it


Forcat siriane me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara kanë filluar një ofensivë të re për dëbimin e Shtetit Islamik nga rajoni i fundit që ky grup kontrollon, pranë kufirit të përbashkët me Irakun.

Forcat Demokratike Siriane, SDF, një aleancë e milicive kurde dhe arabe, me forcat e Koalicionit Global dhe partnerë të tjerë lokalë, i rifilluan operacionet, pasi i patën ndërprerë pas sulmit të Turqisë në janar, kundër rajonit veriperëndimor të Afrinit.

“ISIS i ka intensifikuar sulmet në rajon gjatë javëve të fundit, në përpjekje për t’u riorganizuar”, - tha të martën zëdhënësja e SDF-së.

"ISIS ka një prani të rëndësishme pranë kufirit me Irakun, ku përpiqet ta ruajë strehën e sigurtë, nga ku të planifikojë sulme në mbarë botën dhe për ta zgjeruar territorin e vet në Siri dhe në Iraq”, - tha zëdhënësja al-Abdallah.

Këshilli ushtarak Deir al-Zor lufton nën komandën e SDF-së. Komandanti Ahmed Abu Khawla tha se po bashkëpunohet me qeverinë dhe ushtrinë irakiane për të mundur xhihadistët.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert parashikoi të martën, se "Luftimet kanë për të qenë të vështira, por ne me partnerët tanë do të triumfojmë”.

Forcat siriane me mbështetjen irakiane i kanë shkaktuar dëme të rënda ISIS-it, por grupi militant vazhdon ta kontrollojë rajonin shkretinor përgjatë kufirit me Irakun. Shteti Islamik pritet që t’u kthehet luftimeve guerrile, ndërkohë që po humbet pjesët e fundit të territorit që i kanë mbetur.

Aleanca SDF, nën udhëheqjen e milicisë kurde YPG, ka marrë kontrollin e një zone të madhe nga ISIS-i në Sirinë veriore dhe lindore. Mbështetja amerikane për forcat kurde e ka zemëruar Turqinë, që e konsideron grupin YPG si pjesë të kryengritjes së jashtëligjshme kurde brenda vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG