Lidhje

Brett Kavanaugh bën betimin si anëtar i Gjykatës së Lartë


Brett Kavanaugh bëri betimin si anëtar i Gjykatës së Lartë. Ai mund t’u japë konservatorëve një shumicë të konsoliduar 5 me 4 në gjykatën më të lartë të vendit dhe të luajë rol vendimtar për përfundimet e saj për dekada të tëra. Kryetari i Gjykatës, John Roberts e drejtoi ceremoninë e betimit të 53 vjeçarit Kavanaugh, disa orë pasi senati konfirmoi me 50 vota pro dhe 48 kundër, emërimin e tij, duke i dhënë kështu fund njërës prej betejave më të ashpra në historinë moderne të konfirmimeve nga Kongresi.

Rezultati është një fitore madhore për Presidentin Donald Trump dhe me potencialin për ndikim të gjerë politik, vetëm një muaj përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor.

Procesi i konfirmimit të zotit Kavanaugh u zvarrit gjatë për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij nga tre gra për sjellje të pahijshme seksuale. FBI-ja bëri një hetim, por raporti i saj për të parë nëse akuzat kanë patur ndonjë bazë është pritur me reagime kryesisht në linja partiake.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence, tha se "dita e sotme ishte historike derisa shumica votoi për të dërguar një zë të ri në Gjykatën e Lartë, i cili do të mbështesë vizionin e përjetshëm të themeluesve të Amerikës".

Protestat vazhduan deri në fund, si brenda sallës së Senatit, ashtu edhe në mbarë Kapitolin.

Rezultati pritej, pasi një senator demokrat dhe dy senatorë republikanë fillimisht të pavendosur, deklaruan se do ta mbështesin zotin Kavanaugh.

“Nuk mendoj se këto akuza mund ta ndalin Gjykatësin Kavanaugh të bëhet anëtar i Gjykatës së Lartë”, tha Senatorja republikane Susan Collins.

Një javë më parë, Christine Blasey Ford dëshmoi se zoti Kavanaugh e sulmoi seksualisht gjatë një feste nxënësish të shkollës së mesme në vitet 1980-të. Ai i mohoi me forcë akuzat. Një hetim i kufizuar një javor i FBI-së u tha se nuk gjeti evidencë, duke i lënë kështu senatorët të marrin anën e akuzueses...

“I besoj zonjës Ford... Asgjë në raportin e FBI-së nuk shfajëson Gjykatësin Kavanaugh”, deklaronte Senatorja demokrate Maggie Hassan.

...ose të mbanin anën e të akuzuarit.

“Nuk dëshirojmë në Amerikë një sistem që i konsideron njerëzit fajtorë, derisa të provojnë të kundërtën”, tha Senatori republikan Dan Sullivan.

Beteja përshkoi të gjithë vendin dhe zgjoi pasione të forta.

“Sot është një ditë e dhimbshme për miliona gra në mbarë vendin... Ato do ta ngrenë zërin e tyre, duke marshuar dhe duke marrë pjesë në aktivitete publike”, tha Senatorja demokrate Kirsten Gillibrand.

Zoti Kavanaugh do të zëvendësojë gjyqtarin Anthony Kennedy, i cili doli në pension si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Një tjetër ish anëtar i kësaj gjykate John Paul Stevens, fillimisht ishte mbështetës i zotit Kavanaugh, por tani thotë se kandidati nuk e meriton të jetë në Gjykatën e Lartë.

John Paul Stevens i tha një audience pensionistësh në Boca Raton të shtetit Florida, se nuk mendon që Kavanaugh ka temperamentin e duhur për këtë punë, duke përmendur tonin agresiv që kandidati përdori kur po pyetej nga senatorët, gjatë dëshmisë rreth akuzave për sjellje të pahijshme seksuale.

Në Shtetet e Bashkuara Gjykata e Lartë shihet si një institucion mjaft i respektuar dhe me rëndësi të madhe kombëtare pasi ajo merr vendime në interpretim të Kushtetutës që mund të kenë ndikime për një brez të tërë amerikanësh.

Për njerëzit që u zemëruan me lartësimin e zotit Kavanaugh dhe konsolidimin e shumicës konservatore në Gjykatën e Lartë, demokratët kanë një mesazh të thjeshtë: votoni.

"Nesër është një ditë e re. Jemi të bekuar që jetojmë në një demokraci që mbron liritë tona dhe që u jep fjalën e fundit qytetarëve tek kutitë e votimit”, tha Senatori demokrat Dick Durbin.

Zgjedhjet e muajit tjetër do të vendosin se cila parti do të kontrollojë dy dhomat e Kongresit. Anketimet sugjerojnë se beteja për zotin Kavanaugh ka rigjallëruar votuesit e bazës demokrate dhe asaj republikane. Pala që do të mund ta ruajë në vazhdimësi këtë entuziazëm është pala që do të korrë frutet e fitores në nëntor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG