Senati amerikan ka shtyrë votimin e një projektligji për imigrantët në mënyrë që të shqyrtojë më vonë një version që tashmë është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve.
I ashtuquajturi DREAM Act, projekti do t’u jepte imigrantëve të rinj në moshë, që kanë ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, shansin për t’u bërë shtetas.
Nuk është e qartë nëse demokratët kanë votat e nevojshme për të penguar procedurat që republikanët mund të përdorin për të bllokuar shqyrtimin e ligjit.
Presidenti Obama nxorri një deklaratë ku vlerëson veprimin e ndërmarrë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe duke e cilësuar atë si gjënë e duhur për Amerikën. Ai tha se projektligji do të korrigjonte një gabim në sistemin e imigracionit të vendit që dënon të rinjtë që janë rritur në Shtetet e Bashkuara dhe kanë dhënë kontributin e tyre në komunitet.
Projektligji do t’u jepte imigrantëve të paligjshëm që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara nën moshën 16 vjeçare mundësinë për të fituar status ligjor dhe qytetarinë amerikanë duke shkuar në kolegj ose duke shërbyer për dy vjet në ushtrinë amerikane.