Lidhje

Vuçiç: Serbisë i duhet miqësia e Shteteve të Bashkuara


Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se Serbia ka nevojë për miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke e vlerësuar lartë siç tha, faktin se zyrtarët amerikanë janë të qartë në qëndrimin e tyre sa i përket statusit të Kosovës, por duan ta dëgjojnë Serbinë dhe të kuptojnë problemet serbe.

"Janë disa në bashkësinë ndërkombëtare me të cilët nuk e keni kurrë të qartë se në çfarë pozitash jeni. Me amerikanët e dini. Nuk mendojmë njësoj për statusin e Kosovës por jam mirënjohës që duan ta dëgjojnë Serbinë dhe të kuptojnë problemet e saj. Më shumë nuk mund të pritet dhe do të ishte joreale të pritet”, tha ai.

Presidenti i Serbisë po qëndron në Washington për një vizitë disaditëshe gjatë së cilës është takuar edhe me zyrtarë të tjerë, përfshirë përfaqësuesin e posaçëm amerikan për Ballkani Perëndimor Mathew Palmer.

Para tij takime të ngjashme zhvilloi edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit zyrtarët amerikanë i kërkuan që Kosova të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, për t’u hapur rrugën bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Brenda më pak se një muaji Shtetet e Bashkuara siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi heqjen e kushtëzuar të tarifave, një qëndrim që u mirëprit nga Bashkimi Evropian, por jo edhe nga Shtetet e Bashkuara që kërkojnë heqjen e tërësishme të tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG