Lidhje

SHBA: Assadi duhet të respektojë afatin e armëve kimike


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thotë se Siria nuk po i plotëson detyrimet ndërkombëtare për të shkatërruar armët kimike sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns, na informon nga Gjermania, kur zoti Kerry po takohet me ministrat e Jashtëm dhe të mbrojtjes, në një konferencë të sigurisë në Munih.

Një muaj pas skadimit të afatit për largimin e armëve më të rrezikëshme nga Siria, sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara pasi Presidenti sirian, Bashar al-Assad, nuk ka plotësuar afatin. Zoti Assad ra dakord për këtë afat me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, ose OPCW.

"Bashar al-Assad, për mendimin tonë, nuk po vepron në përputhje me afatin dhe shyrjet janë po ashtu në mospërputhje me gjykimin e Organizatës se procesi mund të përparojë më shpejt”.

Sekretari Kerry u paraqit në një konferencë shtypi krahas ministrit të Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Nëpërmjet përkthyeses, zoti Steinmeir tha se vonesa e Sirisë rrezikon edhe qendrimin e Rusisë në këtë çështje.

"Ata jo vetëm që po lozin me besueshmërinë e tyre, por pas bisedimeve të para me amerikanët, edhe rusët janë të një mendjeje. Pala siriane po loz edhe me kredibilitetin e palës ruse”.

Qeveria siriane thotë se pengesat e sigurisë dhe ato logjistike kanë ngadalësuar edhe mbledhjen dhe transportin e armëve kimike. Sekretari Kerry thotë se do të vazhdojë t’i kërkojë homologut të tij rus,Sergei Lavrov, të ushtorjë presion për respektimin e planit.

"Rusia është partnere në këtë përpjekje. Është e qartë ajo po luan një rol kritik për të ndihmuar sirianët të kuptojnë se duhet të përmbushëin detyrimet”.

Marrëveshja e ndihmoi Presidentin Assad të shmangte kërcënimin e Presidentit Barack Obama për të ndërmarrë veprime ushtarake për ta ndaluar Sirinë të përdorë armë kimike. Zoti Kerry tha se të gjitha opcionet mbeten të hapura, nëse Siria vazhdon vonesat për transportin e të gjithë agjentëve kimikë dhe elementëve të tjerë në portin e Latakias.

"Të gjitha të dhënat tregojnë se nuk ka asnjë arsye të ligjëshme se pse transporti mos të kryhet tani. Prandaj ne i bëjmë thirrje Bashar al-Assadit t’u përmbahet detyrimeve. Përndryshe, ne do të bisedojmë me aleatë të tjerë se cili nga opcionet është më i përshatshëm në një moment të caktuar”.

Shtetet e Bashkuara thonë se më pak se pesë përqind e armëve kimike janë transportuar në port, nga ku do të transportohen në një anije të marinës amerikane për t’u neutralizuar. Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier, tha se kur ato të jenë të sigurta, dy të tretat e materialit do të shkatërrohen në Gjemani.
XS
SM
MD
LG