Lidhje

SHBA mund të "rivlerësojë" alternativat për Sirinë


Presidenti amerikan Barack Obama thotë se ai ka nevojë për më shumë fakte për përdorimin e armëve kimike në Siri përpara se të urdhërojë një përgjigje amerikane.

Duke folur sot për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë prova se armë kimike janë përdorur në Siri, por nuk dihet se nga kush janë përdorur dhe se si janë përdorur. Ai tha se deri sa të gjenden të gjitha faktet, Shtetet e Bashkuara nuk do të nxitojnë për të dhënë gjykimin e tyre.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë u tha ligjvënësve se “me një farë rezeve” beson që qeveria e presidenti Bashar al Assad ka përdorur gazin sarin, një armë kimike, në luftën civile në Siri.

Kur zoti Obama u pyet sot nëse ai mendon që “ndryshimi i qëndrimit” për përdorimin e armëve kimike mund të shpjerë Shtetet e Bashkuara në veprime ushtarake, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të rimendojnë një gamë të gjerë mundësish që mund të ndërmerren në Siri.
XS
SM
MD
LG