Lidhje

SHBA, tarifa ndaj importeve të çelikut dhe aluminit


Shtetet e Bashkuara po i përshkallëzojnë tensionet tregtare transatlantike dhe me Amerikën veriore, duke imponuar një tarifë prej 25 për qind ndaj importeve të çelikut dhe 10 për qind ndaj importeve të aluminit nga Bashkimi Evropian, Kanadaja dhe Meksika. Tarifat hyjnë në fuqi të premten.

Kjo lëvizje po nxit vendosjen e tarifave të menjëhershme, hakmarrëse nga evropianët, që pritet të kenë si objektiv produkte të njohura amerikane si motoçikletat Harley Davidson, xhinset Levi apo dhe pijet alkoolike si uiski burbon dhe ai Tenesi.

"Shpresojmë që t’i vazhdojmë bisedimet si me Kanadanë dhe Meksikën në njërën anë ashtu edhe me Komisionin Evropian nga ana tjetër, pasi ka çështje të tjera që duhet të zgjidhim gjithashtu", tha sekretari amerikan i Tregtisë Wilbur Ross gjatë një konference të zhvilluar me telefon me gazetarët.

"Kjo është një ditë e keqe për tregtinë botërore", tha Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Ai tha se nuk ka "zgjidhje tjetër", veçse zgjidhja e mosmarrëveshjes nëpërmjet ankimit në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe vendosjen e tarifa shtesë për një sërë importesh amerikane.

"Ne do të mbrojmë interesat e BE-së, në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar të tregtisë", shtoi zoti Juncker.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se tarifat janë të nevojshme për sigurinë kombëtare, duke pretenduar se marrëveshjet aktuale tregtare dëmtojnë kompanitë amerikane dhe SHBA humbet vendeve pune.

Zoti Ross u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara negociuan gjithashtu vendosjen e kuotave apo kufizimeve në volumin e importeve nga vende të tjera si Koreja e Jugut, Argjentina, Australia dhe Brazili në vend të vendosjes së tarifave për to.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG