Lidhje

Uashingtoni mbështet qeverinë e re palestineze


Shtetet e Bashkuara thonë se do të mbështesin qeverinë e re palestineze të unitetit pavarësisht nga shqetësimet e Izraelit se ajo mund të ndihkohet nga Hamasi.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha dje se Shtetet e Bashkuara do të gjykojnë qeverinë e re të Fatahut dhe Hamasit nga veprimet e saj, duke përfshirë angazhimin e saj kundër dhunës dhe njohjen e Izraelit.

"Ne synojmë të punojmë me këtë qeveri, por do ta vëzhgojmë atë nga afër për t’u siguruar se ajo i zbaton parimet që Presidenti Abbas i përsëriti sot (të hënën)", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit.

Zonja Psaki tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ndihmën amerikane për qeverinë palestineze, por do të vazhdojnë të "shqyrtojnë politikat dhe qëndrimet e qeverisë së re".

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas bëri betimin e qeverisë së re të unitetit dje pas një marrëveshje të pajtimit me lëvizjen islamike Hamas.

Fatah dhe Hamas kanë qeverisur ndaras Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës në shtatë vitet e fundit.
XS
SM
MD
LG