Presidenti Donald Trump thotë se është i gatshëm ta shtyjë vendimin për rritjen e tarifave ndaj importeve kineze nëse arrihet një marrëveshje.
Tarifat amerikane ndaj mallrave kineze me një vlerë prej 200 miliardë dollarësh janë planifikuar të rriten nga 10 në 25 për qind më 1 mars, me përjashtim të rastit nëse palët arrijnë një marrëveshje tregtare.
Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin dhe përfaqësuesi për Tregtinë Robert Lighthizer ndodhen në Pekin për bisedime me zyrtarët kinezë, të cilat sipas presidentit Trump po shkojnë mirë.
Administrata Trump vendosi tarifa të ashpra ndaj mallrave kineze si përgjigje ndaj atyre që i cilëson praktika të padrejta të Pekinit.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën për vjedhje të teknologjisë amerikane dhe për imponim ndaj kompanive amerikane të dorëzojnë sekrete tregtare si kusht për të bashkëpunuar me Pekinin.
Kina u kundërpërgjigj duke vendosur tarifa ndaj mallrave amerikane dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara për shkelje të rregullave tregtare me qëllimin për të goditur rritjen ekonomike të Kinës.
Facebook Forum