Lidhje

SHBA, pritet të rriten interesat bankare


Kryetarja e Rezervës Federale të SHBA, thotë se janë krijuar kushte të nevojshme për rritjen e interesave bankare.

Zonja Janet Yellen, foli në një takim të zyrtarëve më të lartë financiarë nga e gjithë bota, që u mbajt të premten në shtetin perëndimor Uajoming.

Ajo tha se gjendja e mirë e tregut të punës dhe parashikimi për inflacionin dhe aktivitetin ekonomik do të bëjë që Rezerva Federale t’i rrisë së shpejti normat e interesave bankare afatshkurtër.

Në fund të vitit 2008 Rezerva Federale, FED, i uli normat e interesit, thuajse në nivelin zero dhe i mbajti ato të pandryshuara për 7 vjet me radhë. Dhjetorin e kaluar, FED-i i rriti pak interesat bankare dhe shumë ekonomistë patën shpresuar për rritje të mëtejshme.

Zyrtarët amerikanë të financave pritet të takohen për të diskutuar për normat e interesit fillimisht në fund të shtatorit dhe më pas në nëntor dhe në dhjetor.

Zonja Yellen nuk la të kuptohet për kohën se kur mund të rriten normat e interesit, megjithatë zyrtarët presin që kjo të ndodhë rreth datës 2 shtator. Këshilltari për ekonominë i Shtëpisë së Bardhë Jason Furman tha se Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë e tjera të zhvilluara të botës janë ndeshur me probleme për shkak të rritjes së ngadaltë të prodhimit, si rezultat i investimeve të dobëta.

Po të premten, Departamenti i Tregtisë njoftoi se rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara në tremujorin prill-maj-qershor ishte pak më e ngadaltë se sa parashikimi. Të dhënat më të fundit tregojnë se prodhimi i përgjithshëm bruto ka shënuar një rritje vjetore prej vetëm 1,1 për qind.

XS
SM
MD
LG