Lidhje

Trump, Putin përshëndeten në Hamburg, pasdite takimi kokë-më-kokë


Presidenti amerikan, Donald Trump u ndodh përballë Presidentit rus Vladimir Putin para se të futeshin në takimin e G-20shes sot në Hamburg dhe dy krerët e shteteve shtrënguan duart përzemërsisht. Ata kanë në plan të bisedojnë kokë më kokë gjatë qëndrimit në Gjermani për takimet dy ditëshe të G-20shes.

Para se të shkonte në takin, Presidenti Trump shkroi në twitter se po pret të takojë presidentin rus, Vladimir Putin.

Ky do të jetë takimi i parë kokë më kokë i dy presidentëve në margjinat e G20-ës. Takimi i tyre pritet të orët e pasdites.

Takimi i shumëpritur do të ndiqet nga afër, por jo për shkak se ai pritet të sjell përparim. Ndërsa të dy udhëheqësit kanë shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet e dëmtuara nga ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë, nuk pritet një lehtësim i asaj, që disa analistë e quajnë një Luftë e re e Ftohtë. Hetimet e vazhdueshme mbi dyshimet për lidhje të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe sulmet kibernetike ruse, që agjencitë amerikane të zbulimit besonin se kishin për qëllim të ndihmonin zotin Trump, kanë hedhur hije mbi takimin.

Kremlini thotë se terrorizmi, Siria dhe Ukraina do të jenë temat kryesore të takimit.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Trump do të vendosë se çfarë të diskutojë, duke e quajtur atë një "takim dypalësh normal ". Por Presidenti Trump mund të ngrejë çdo temë në këtë takim, thonë analistët.

"Presidenti ka impulset e tij. Ai mund të vendosë t’i japë takimit një drejtim të papritur. Dhe, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë. Në një masë të vogël, ky është stili i tij", thotë Stephen Sestanovich nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Megjithatë, hetimet e vazhdueshme në lidhje me dyshimet për bashkëpunim të fushatës së zotit Trump me Rusinë po hedhin një hije mbi shpresat e administratës se takimi mund të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve.

"Çdo gjë që ndodh në takimin mes zotit Trump dhe zotit Putin do të shihet në këtë kontekst. A ishte presidenti Trump shumë miqësor? A po përpiqej zoti Trump të dukej shumë i ashpër ndaj Rusisë në mënyrë që të qetësojë kritikët në vendin e tij? Unë mendoj se këto janë shumë pyetje për të cilat së shpejti do të marrim përgjigje", thotë Hannah Thoburn nga Instituti Hudson.

Por vetëm një numër i vogël analistësh presin që presidenti Trump të ngrejë çështjen e ndërhyrjes ruse që agjencitë amerikane të zbulimit thonë se kishte për qëllim ta ndihmonte atë të fitonte zgjedhjet.

Në rrugët e Moskës, rusët ende shpresojnë se takimi mes dy udhëheqësve do të çoj në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Kjo situatë nuk mund të zgjasë shumë. Dikush duhet ta kuptojë se nëse nuk bashkëpunojmë, ne nuk do të përparojmë", thotë Konstantin, një banor i Moskës.

Kritikët theksojnë se çdo hap drejt bashkëpunimit ka shumë të ngjarë të kufizohet në retorikë.

"Ne tani nuk po shohim një agjendë ose qëllime konkrete nga të dy udhëheqësit, dhe as vullnet për të zbatuar këto synime. Putini duket se pret disa hapa nga presidenti Trump, ndërsa presidenti Trump nuk është në gjendje të përballojë problemet e tij brenda Amerikës. Ai nuk di si të formojë një qëndrim të vetin ndaj Putinit. Pra, nuk ka objektiv, vullnet apo përparim", thotë Andrei Kolesnikov nga Qendra Carnegie e Moskës

Pavarësisht nga rezultati, takimi dypalësh është një fitore për Kremlinin, shton analisti Kolesnikov.

Nëse shkon keq, Rusia do të fajësojë Shtetet e Bashkuara. Nëse shkon mirë, Putini do të thotë se falë angazhimit të tij takimi ishte i suksesshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG