Lidhje

Shefja në detyrë e USAGM fillon zhbërjen e politikave të pararendësit


Duke lëvizur me shpejtësi në ditën e saj të parë si ushtruese e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), gazetarja Kelu Chao vendosi heqjen nga puna të drejtuesve të lartë të Zëri të Amerikës, duke përmbysur një emërim të kritikuar gjerësisht nga paraardhësi i saj, Michael Pack, i emëruar nga ish presidenti Donald Trump.

Robert Reilly, të cilin zoti Pack e emëroi si drejtor të Zërit të Amerikës në dhjetor, u hoq së bashku me zëvendësen e tij, Elizabeth Robbins.

Yolanda Lopez, ish-drejtore e zyrës qëndrore të lajmeve të Zërit të Amerikës, të cilën zoti Reilly e transferoi në një detyrë tjetër javën e kaluar, u emërua drejtore e përkohshme e Zërit të Amerikës.

Me largimin e tij, zoti Reilly hyri në histori si drejtori i parë i Zërit të Amerikës që hiqet dy herë nga posti, duke shërbyer për pak më shumë se një vit gjatë të dy emërimeve në një diferencë prej 20 vjetësh.

USAGM i njoftoi të enjten punonjësit nëpërmjet postës elektronike për ndryshimet, duke konfirmuar gjithashtu se presidenti Joe Biden kishte zgjedhur zonjën Chao, një veterane shumë të vlerësuar të Zërit të Amerikës, si drejtore në detyrë ekzekutive të USAGM. Michael Pack dha dorëheqjen të mërkurën pasi administrata e re e njoftoi atë se do të shkarkohej. Brian Conniff, ish-presidenti i Rrjeteve të Transmetimit të Lindjes së Mesme, u emërua zëvendës i zonjës Chao.

Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se Jeffrey Shapiro dha dorëheqjen si drejtor i Zyrës së Transmetimeve për Kubën.

Zonja Chao, një gazetare veterane që ka punuar për më shumë se 40 vjet për Zërin e Amerikës, është gruaja e parë që mban postin më të lartë në USAGM.

Si ushtruese e detyrës, zonja Chao do të mbikëqyrë rrjetet e USAGM që përfshijnë Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, Zyrën e Transmetimeve për Kubën, Rrjetin e Transmetimit të Lindjen e Mesme dhe organizatën jofitimprurëse të lirisë së internetit, Fondi i Teknologjisë së Hapur. Në njoftim thuhet se presidenti Biden pritet të emërojë një drejtor të përhershëm së shpejti.

Emërimi i zotit Reilly kishte nxitur kritika dhe shqetësime në mesin e ligjvënësve.

Të paktën 48 gazetarë aktualë dhe ish gazetarë, bënë thirrje javën e kaluar, që zoti Reilly dhe zonja Robbins të jepnin dorëheqjen, duke i akuzuar ata se kishin shkelur kodin e gazetarisë duke i dhënë një zyrtari të lartë të qeverisë "një platformë falas për të folur drejtpërdrejt në kanalet tona". Ata përmendën gjithashtu transferimin e papritur të korrespondentes së Zërit të Amerikës nga Shtëpia e Bardhë, Patsy Widakuswara.

Zonja Widakuswara u dërgua në Shërbimin Indonezian, ku ajo filloi karrierën e saj në Zërin e Amerikës, pasi u përpoq t’i bënte pyetje ish sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo mbi ngjarjet aktuale, pas një fjalimi që ai mbajti në auditorin e Zërit të Amerikës.

Ajo gjithashtu u përball me zotin Reilly, duke e pyetur se përse ai nuk e shfrytëzoi kohën për pyetje e përgjigje pas fjalimit, për të shtruar pyetjet e ngritura nga gazetarët për çështje të diskutueshme.

Pamjet e përballjes së saj me zotin Reilly, shfaqin drejtorin duke i thënë zonjës Widakuswara se ajo nuk ishte "e autorizuar" të bënte pyetje dhe e qortuar atë se nuk dinte si të sillej. Ajo e ndoqi zotin Pompeo ndërsa po dilte nga ndërtesa e Zërit të Amerikës, duke i bërë pyetje.

Ligjvënësit dhe ish zyrtarët e USAGM thanë muajin e kaluar se komentet publike të zotit Reilly dhe librat e tij, që shprehin pikëpamje të diskutueshme rreth homoseksualëve dhe myslimanëve, rrezikonin të shkaktonin dëm të pariparueshëm për besueshmërinë dhe emrin e rrjetit. Kur mori detyrën si drejtor i Zërit të Amerikës në dhjetor, zoti Reilly i tha personelit se shkrimet e tij të mëparshme ishin "të parëndësishme" për detyrat e tij zyrtare.

Eliot Engel, ish kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, e cilësoi si “të turpshëm” emërimin e zoti Reilly.

"Gazetarët e Zërit të Amerikës nuk e meritojnë që emri i agjencisë të dëmtohet e emrit, duke u detyruar të punojnë për dikë me pikëpamje kaq të prapambetura dhe që nuk janë në hap me vlerat amerikane", tha zoti Engel.

USAGM nuk dha asnjë shpjegim për largimin e zotit Reilly.

Mandati i zotit Pack, u shënua me procese gjyqësore, ankesa të sinjalizuesve, kërkesë nga Kongresi për ta detyruar të paraqitej në një seancë mbi agjencinë që ai drejton, si dhe vendime të gjykatës që i ndaluan atij të ndërhyjë në operacionet e organizatave që mbikëqyren nga USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur, i cili mbështet lirinë globale të internetit.

Në intervistat e fundit zoti Pack mbrojti veprimet e tij, duke thënë se po punonte për të përmirësuar problemet që lidhen me sigurinë brenda agjencisë, ndërsa theksonte njëanshmërinë në përmbajtjen e programeve.

David Seide, një ndër avokatët e organizatës Projekti për Llogaridhënien e Qeverisë (GAP), që përfaqëson më shumë se 20 sinjalizues në Zërin e Amerikës, i mirëpriti ndryshimet në udhëheqje.

Ai tha se agjencia duhet të lëvizë për të rikthyer në punën e saj zonjën Widakuswara dhe çdo individ tjetër që është pezulluar ose hequr në mënyrë të padrejtë dhe të hetojë pretendimet për keqmenaxhim.

Gjatë mandatit të zotit Pack vitin e kaluar, ligjvënësit miratuan një ligj të ri për të zvogëluar kompetencat e drejtorit ekzekutiv.

Ndryshimet mund të ndikojnë në emërimet e fundit që bëri zoti Pack në bordet drejtuese të disa rrjeteve. Më 19 janar, një ditë para se të jepte dorëheqjen, ai emëroi anëtarët e rinj konservatorë për bordet e rrjeteve, duke përfshirë zotin Roger Simon, një kontribues në portalin "The Epoch Times", i cili i ka cilësuar trazirat vdekjeprurëse të janarit në Kapitol si një operacion "të rremë". Një anëtar tjetër bordi i emëruar nga ai, Christian Wheaton, ka mbrojtur aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG