Lidhje

Sfida për rezervat botërore të ushqimit


Këto kohë vëmendja ka qenë e përqendruar tek përpjekjet e Presidentit Obama dhe Kongresit për të gjetur një zgjidhje ekonomike për të shmangur katastrofën fiskale. Por ish-drejtuesja e Programit Botëror të Ushqimit thotë se një shqetësim i madh duhet të jetë katastrofa e pritshme ushqimore. Korrespondenti Joe de Capua njofton:

Josette Sheeran thotë se që kur u largua në muajin prill nga Programi Botëror i Ushqimit, ka pasur kohë të reflektojë mbi masat që duhen marrë për të eliminuar urinë dhe kequshqyerjen. Zonja Sheeran foli kohët e fundit në Institutin për Kërkime mbi Ushqimin.

“E kam të qartë që në Uashington vëmendja është në shmangien e një katastrofe. Sot do të flas për një tjetër lloj katastrofe – katastrofën ushqimore. Dua të theksoj se pavarësisht se çfarë sfidash kemi përballë, këto sfida do të thellohen me shtimin çdo ditë të mijëra vetëve që kanë nevojë për ndihma ushqimore”.

Ajo thotë se 2 miliardë vetë do t’i shtohen brenda vitit 2050 sistemit të prodhimit dhe furnizimit ushqimor në botë.

“Faktikisht, gjatë 40 vjetëve të ardhshëm duhet të prodhojmë më shumë ushqim se prodhimi i realizuar në total gjatë 8 vjetëve të kaluar. Nëse na duket se kemi probleme në përballimin e nevojave aktuale, si do të arrijmë të përmbushim nevojat e reja?”

Kombet e Bashkuara përllogarisin se aktualisht ka në botë një milliard njerëz që vuajnë nga mungesa ushqimore dhe 2 miliardë vetë që nuk marrin vlerat e nevojshme ushqimore.
Zonja Sheeran thotë se megjithëse sot në botë prodhohet ushqim i mjaftueshëm, çdo 10 sekonda një fëmijë vdes nga urija. Por shumë nga fëmijët që nuk vdesin mund të vuajnë nga mungesa ushqimore dhe urija gjatë gjithë jetës. Ajo sjell si shembull një studim të Universitetit të Kilit që ka skanuar trurin e dy tre-vjeçarëve, njëri që ka marrë vlerat e nevojshme ushqyese, ndërsa tjetri i rritur me mungesa.

“U zbulua se truri i fëmijës me mungesa ushqimore është shumë më i vogël se truri i fëmijës tjetër dhe ky problem që krijohet në vitet e para të jetës nuk mund të riparohet më vonë”.

Ajo thotë se 5 mijë ditët e para të jetës, përfshirë këtu edhe shtatzaninë, janë me rëndësi kritike për jetën e fëmijës.

Specialistja thotë se në vitet e fundit bashkëpunimi mes sektorit privat dhe atij shtetëror ka ofruar zgjidhje të suksesshme kundër kequshqyerjes si paketat me pastë të prodhuar nga farat e kikirukut.

Zonja Sheeran thotë se ushqimi me gji është thelbësor në luftën kundër kequshqyerjes. Megjithatë, kjo praktikë nuk ndiqet në masë në disa vende në zhvillim:

“Qumshti i gjirit është përgjigja e parë në vende si Nigeri apo Mali, por në këto vende vetëm 10 për qind e grave ushqejnë fëmijët me gji, pasi nuk e konsiderojnë si të modës apo si praktikë moderne”.

Ajo thotë se gratë duhet të nxiten dhe të mbështeten kur ushqejnë fëmijën me gji. Por një tjetër problem është se shumë gra janë të kequshqyera vetë dhe duhet të krijohen programe për të ndihmuar këto gra.

Ajo propozon programe për të nxitur fermerët e vegjël dhe për të mbështetur gratë në zona rurale. Urija është në masë të madhe rezultat i problemeve në infrastrukturë. Shpesh herë zgjidhja është shumë e thjeshtë - për shembull ndërtimi i një magazine për fshatin, që të mos prishen rezervat ushqimore nga fenomenet e natyrës.

Ish-drejtuesja e Programit Botëror të Ushqimit ofron një numër rekomandimesh për të shmangur atë që e quan: katastrofa ushqimore. Ndër to përfshihet përmirësimi i programeve për ushqimin e nënës dhe foshnjave, investimet në projekte për prodhim ushqimor në vendet në zhvillim, fuqizimi i programeve të suksesshme ushqimore dhe mbështetja e projekteve për modernizimin e ekonomive bujqësore në vendet e varfëra.
Zonja Sheeran thotë se beteja kundër kequshqyerjes mund të fitohet, por kjo kërkon ndryshimin e mendësisë sonë në këtë luftë.
XS
SM
MD
LG