Lidhje

Banorët e Valbonës i drejtohen gjykatës për ndalimin e ndërtimit të Heceve


27 banorë të Luginës së Valbonës, që i përkasin fshatrave Rragam, Valbonë, Dragobi dhe Çerem, të mbështetur nga Shoqata për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare (Toka) kanë dorëzuar në Gjykatën Administrative të Tiranës padinë për kundërshtimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Luginës së Valbonës.

Ky është hapi më më i fundit i tyre në përpjekjen thuajse dy vjeçare për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve në brendësi të Parkut Kombëtar të Valbonës, një nga më të bukurit në Shqipëri.

Permes kësaj padie kërkohet që gjykata të deklarojë pavlefshmërinë absolute të kontratës koncensionare si dhe lejet e ndertimit, mjedisit dhe përdorimit të rezervave ujore.

Në padinë drejtuar Gjykatës Administrative thuhet se banorët Valbonës dhe Shoqata “Toka” ndërmorën këtë hap juridik për shkak të një numër shkeljesh proceduriale dhe materiale nga Ministria e Ekonomisë dhe Industrisë, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe Këshilli i Basenit Ujor “Drin-Buna”.

Në kundërshtim të hapur dhe flagrant të ligjit për zonat e mbrojtura, thuhet në padinë drejtuar Gjykatës Administrative, institucionet e mësipërme kanë përkrahur një projekt të madh ndërtimi në një zonë turistike dhe natyrore, siç është Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës. Për më tepër, ata kanë miratuar këtë projekt në kundërshtim të hapur dhe flagrant të një numër kërkesash proceduriale, veçanërisht konsultimet me publikun.

Në padinë e tyre, banorët e Luginës së Valbonës shprehen se po i drejtohen gjykatës shqiptare me shpresën dhe besimin për një gjykim të drejtë për të tashmen dhe të ardhmen e Parkut Kombëtar të Valbonës, i cili i përket gjithë qytetarëve shqiptarë.

Në fillim të këtij viti, Ministria e Energjitikës dhe Industrisë refuzoi kërkesën e Shoqatës për Ruajtjen e Alpeve Shqiptare për dhënien e kopjes së kontratës koncensionare të lidhur me Shoqërine “Gener 2” shpk si dhe dosjen e plotë me dokumentacionin e Shoqërisë “TPLAN” shpk, shoqëri këto që po ndërtojnë hidrocentrale në Luginën e Valbonës.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit e ka quajtur refuzumin për dhënien e këtij dokumentacioni si shkelje të ligjit për të drejtën e informimit dhe ka urdheruar Ministrinë e Energjitikës dhe Industrisë për të vënë në dispiozicion të Shoqatës dokumentacionin e kërkuar prej saj.

Me moton “Mos ma prek Valbonen”, prej gati dy vitesh, banorët vendas dhe shoqata “Toka”, të përkrahuar nga WWF dhe organizata të tjera, kombëtare dhe ndërkombëtare të mjedisit dhe shoqërisë civile, kanë bërë përpjekje të vazhdushme për të ndaluar këtë projekt, që krijon sipas tyre një seri dëmesh të pariparushme, si në mjedisin natyror të Luginës së Valbonës, ashtu edhe në mirëqenien dhe jetën e komunitetit që jeton përgjatë Luginës së Valbonës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG