Lidhje

SHBA, Ekspozitë mbi fushatën kundër varfërisë


50 vjet pas vrasjes së Martin Luther Kingut, ëndrra e tij për të zhdukur varfërinë me lëvizje sociale mbetet ende e parealizuar. Për të kujtuar punën e tij, Muzeu Kombëtar i Historisë Afrikano-Amerikane dhe Muzeu i Historisë Amerikane kanë përgatitur bashkarisht një ekspozitë, që nuk flet vetëm për varfërinë, por për demokracinë amerikane dhe ndryshimet politike e sociale. Ekspozita, e cila titullohet Fushata e të Varfërve 1968, sipas kuratorëve pasqyron të parën fushatë shumetnike, shumë-racore dhe shumë-kulturore.

Pamjet e nxjerra nga arkivat tregojnë demostratat e vitit 1968 që zgjatën gjashtë javë në Uashington, me thirrjet për drejtësi ekonomike.

Kuratori Aaron Bryant thotë se lëvizja tërhoqi protestues nga mbarë Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësonte ëndrrën e fundit dhe më ambicioze të Martin Luther Kingut.

Ai kishte qenë gjithmonë i shqetësuar për problemin e varfërisë. Ai i përkiste traditës së predikuesit social, ashtu si babai dhe gjyshi i tij. Ata e ndjenin për detyrë t’u shërbenin nevojave të të varfërve,thotë kuratori Aaron Bryant.

Sipas disa studimeve niveli i varfërisë ra 9-12 për qind nga viti 1964-1974. Por vështirësitë që vuanin individë të çdo race, moshe dhe besimi shkaktuan një pikë kthese në lëvizjen për liri civile.

Fushata filloi zyrtarisht më 12 maj me marshimin për Ditën e Nënës. Më 13 maj njerëzit ishin mbledhur në qendër dhe po ngrinin një qytet. Ata zunë 16 akra dhe ngritën një qytet prej tendash, me çerdhe për fëmijët, me berber, me shërbime shëndetësore dhe dentare. Kishin vënë furnizim me energji elektrike, linjat e ujërave të zeza, thotë kuratori.

Një hartë tri-dimensionale e quajtur “Qyteti i Rilindur” tregon si u ndërtua zona, bazuar në skica.

“Zbuluam nga artikujt e gazetave se kishte një dyqan buke. Duke parë fotografitë zbuluam çerdhen e fëmijëve”.

Ekspozita përmban fotografi, tabela, stema, pjesë të tendave dhe pamje të rralla filmike të nxjerra nga arkivat ku shihet fushata, si dhe histori gojore nga ata që u mobilizuan për organizimin e saj, si Marian Wright Edelman dhe Andrew Young.

Kuratori Bryant thotë se “tenda kulturore” luajti një rol të madh për t’i dhënë një frymë unike lëvizjes.

Tenda kulturore ishte e rëndësishme edhe sepse njerëzit mblidheshin aty për të kënduar. Muzika që dëgjoni është nga Qyteti i Rilindur”.

Kuratori thotë se pavarësisht nga kushtet individuale, çdo pjesëmarrës luante një rol të rëndësishëm. Disa takoheshin me krerët e agjencive federale, disa mblidheshin për të negociuar politika dhe ligje të mundshme, ndërsa të tjerë koordinonin protestat para institucioneve të ndryshme në qytet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG