Lidhje

Vasili: LSI, projekt ambicioz për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë


Kryetari i ri i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, dr.Petrit Vasili, thotë se programi i ri elektoral i partisë së tij është një projekt ambicioz për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë.

Ai parashikon ulje taksash dhe ndryshime thelbësore në planet për punësimin e rinisë dhe investime vendase dhe të huaja:

Zëri i Amerikës: Zoti Vasili! Urime për zgjedhjen në postin e kryetarit të LSI-së! Në këtë intervistë me rastin e zgjedhjeve për parlamentin e ri më 25 qershor, duam të mësojmë nga ju për disa nga pikat kryesore të programit tuaj elektoral?

Petrit Vasili: Programi ynë elektoral është një risi. Ai fokusohet në disa elemente kyç, të cilat janë: së pari, taksa më të ulëta për një masë të gjerë biznesesh, si janë ato deri 200 milionë lekë të vjetra, të cilëve u ulen taksat tre herë, deri në 100 milionë u ulet gjysmë për gjysmë, dhe atyre nën 100 milionë u ulen nën 40 për qind. Kjo është një përgjigje e drejtpërdrejtë, një frymëzim që i jepet drejtpërdrejt biznesit për t'u zhvilluar. Kemi projektuar po ashtu një ulje dy herë e gjysmë të tatimit mbi të ardhurat, i cili deri tani shkonte në 23 për qind. Kemi menduar po ashtu fokusimin në dy momente madhore të ekonomisë shqiptare me energji të mëdha për t'u shfrytëzuar si bujqësia dhe turizmi, të cilat mund të sigurojnë atë që është edhe moto e programit tonë: një transformim i plotë ekonomik dhe shoqëror. Prej gjithë këtyre masave, do të krijohen 170 mijë vende pune, nga të cilat, programi i LSI-së, si asnjë parti tjetër në këto 25 vjet, fokusoet në krijimin e 100 mije vendeve të reja pune vetëm për të rinjtë, duke nxitur me të gjitha mundësitë, që puna e parë t'i ofrhet menjëherë një të riu, duke i dhënë një përgjigje papunësisë së të rinjve, e cila arrin në nivele shumë të larta deri në 30 për qind, dhe për ta përgjysmuar atë qysh në 4 vitet e para. Në të gjithë këto ka përgjigje shumë të forta, të cilat inspirojnë ekonominë, dhe japin nxitje biznesit që të vazhdojë punën, të zhvillohet dhe jo të mbyllet si deri më sot. Kjo jep mundësinë të krijohen mijëra vende të reja pune, duke e drejtuar ekonominë drejt atyre sektorëve me energji të pashfrytëzuar, të cilat kanë fjetur deri sot, por janë një pasuri e paçmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Cili do të ishte propozimi juaj për rritjen e investimeve vendase e të huaja, të cilat janë ulur ndjeshëm vitet e fundit?

Petrit Vasili: E gjithë politika jonë për uljen e taksave në qytet dhe në bujqësi, ku do të jetë 0 tvsh dhe 0 tatim mbi fitimin; pra e gjithë kjo politikë e taksave të ulura dhe të qëndrueshme, që nuk ndryshojnë një herë në vit apo një herë në dy vjet, krijon gjithë klimën e duhur për biznesin, që Shqipëria të jetë sërish konkurruese, sepse ka kohë që nuk është e tillë, ngaqë gjithë vendet e tjera të rajonit punojnë me taksa më të ulëta dhe me sisteme më të qëndrueshme, dhe në këtë manyrë, mundësia që investimet e huaja të vijnë në Shqipëri bëhet realitet. Realiteti ynë negativ është që investimet e huaja direkte kanë pasur një rënie të konsiderueshme, dhe kjo ka ndikuar shumë edhe në ekonominë shqiptare. Pasojat e rënies së këtyre investimeve të brendshme dhe të huaja janë vetëm dy: papunësi dhe varfëri.

Zëri i Amerikës: Me programin tuaj, çfarë propozoni ju për një mbrojtje më të mirë sociale të shtresave më në nevojë, që ka Shqipëria?

Petrit Vasili: Një ekonomi, që krijon gjithnjë e më shumë një kapital më të madh shtetëror dhe një fuqi më të madhe ekonomike, mundëson edhe i bën realitet të gjithë programet e mbështetjes së shtresave shoqërore. Por përgjigja më e mirë është krijimi vendeve të punës. Për varfërinë nuk ka përgjigje më të mirë se sa krijimi i vendeve të punës. Në një ekonomi të shëndetshme, me taksa të ulëta, e cila ka interes të zhvillohet e të përparojë kjo mund të krijojë vendet e punës. Në të kundërt, ne do të mbeteshim një ekonomi thjesht asistenciale, që ofron lëmosha pa të ardhme, pa perspektivë. Programi ynë është të zvogëlojmë përherë e më shumë shtresën e njerëzve të varfër, duke i punësouar përherë e më shumë, duke qenë me një zemër gjithmonë e më të dhembshur për të gjithë ata që janë në nevojë, duke krijuar gjithë mekanizmat mbrojtës e mbështetës për ata.

Zëri i Amerikës: Po arsimi dhe mjekësia, çfarë projektesh të reja do të kenë, sipas jush?

Petrit Vasili: Ato janë dy fusha prioritare. Kemi dy objektiva themelore: financimin e tyre dinjtoz deri minimalisht 5 për qind të GDP-së për t'i dhënë peshë dhe frymëmarrje, si dhe një transformim tërësor të gjithë menaxhimit. Në mënyrë të veçantë, reforma në arsim, e cila krijoi më shumë zemërim dhe paqartësi, duhet të hyjë në një rrugë krejtësisht të re, më afër interesave të studentëve, të të rinjve shqiptarë dhe jo në dobi të grupeve të caktuara të interesit. Ekonomia shqiptare duhet të çlirohet nga interesat e ngushta të një oligarkie të kufizuar dhe njerëzve të vegjël, por të jetë një ekonomi në interes të vegjëlisë dhe jo të oligarkisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Vasili! Ju si LSI deri tani keni qenë pjesë e qeverive të tjera. Sa mund të realizoni më shumë sivjet me këto premtime?

Petrit Vasili: Realizimi i objektivit për t'u bërë forcë e parë politike do të sjellë një zbatim përherë e më të plotë të programit tonë ekonomik. Deri tani programet tona nuk kanë mundur të zbatohen për shkak të maxhorancave, me të cilat ne kemi bashkëjetuar dhe kanë qenë më të mëdha se ne. Masa dërrmuese e njerëzve, vegjëlia, që vuan në hallet e përditshme deri edhe në tryezën, që u shtrojnë fëmijëve, do të marrin me programin tonë atë përgjigje, që u munguar prej vitesh. Të qenit forcë e parë na mundëson që me insistim dhe me shumë këmbëngulje, t'i çojmë këto objektiva përpara, sepse koha nuk pret më. Koha e stanjacionit është një vrasje për shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të ndihmoni më shumë për integrimin europian të Shqipërisë?

Petrit Vasili: I gjithë programi ynë i transformimit ekonomik e shoqëror është një hap shumë i shpejtë përpara drejt atij integrimi për të cilin është punuar dhe që ka qenë kredo e themelimit tonë. Ne jemi ndërtuar si një parti, që punon për integrimin europian. Ekonomia e transformuar shqiptare dhe me një informalitet të ulët, i cili deri tani është bërë gërryes, është një ekonomi që mund të bashkëpunojë me ekonomitë europiane dhe rruga e integrimit në këtë mënyrë është krejtësisht e hapur për Shqipërinë.

Politikat shtrënguese, taksat shumë të egra, shteti që godet, që mundëson kultivimin e drogës, që ka gjobën si lejtmotiv të tij, dhe që sheh koncensionet si mundësi të rritjes ekonomike, nuk janë ato që na mundësojnë integrimin europian.

Përgjigja e fortë në 25 qershor, me LSI-në forcë e parë dhe me një program të tillë transformues është po ashtu një autostradë e hapur drejt Europës dhe integrimit europian.

Zëri i Amerikës: Ambicja juaj për të dalë forcë e parë në këto zgjedhje ka provokuar ndjeshëm arenën politike shqiptare, kryesisht dy partitë mëdha. Si i vlerësoni jua raportet e dy partive të mëdha me partitë e tjera?

Petrit Vasili: Masa e madhe e publikut shqiptar, e lodhur, e zemëruar dhe e ezauruar në 25 vjet nga premtimet e pambajtura, politikash meskine, intrigat e vogla kërkon një politikë të re, që e ofron transformimin ekonomik e shoqëror. LSI, besoj, më shumë se çdo forcë tjetër politike, e mishëron dhe e demonstron këtë gjë, ndaj edhe është lufta e tmerrshme e ndarjes me të vjetrën, e cila lëngon dhe jep shpirt, dhe pajtimi me një të re, e cila ecën përpara. E vjetra ka menduar shumë për oligarkinë, ndërsa LSI mendon sot për masat e gjera. Vegjëlia do që të shprehet, do që të jetojë më mirë, në një mirëqenie që e meriton për djerësn dhe gjakun që derdh, ndaj ne kemi përgatitur këtë program dhe platformën tonë politike, që ajo të përfaqësohet.

Zëri i Amerikës: Cili është mesazhi juaj për votuesit e 25 qershorit?

Petrit Vasili: Kam vetëm një mesazh: Ajo është dita e tyre, është mundësia më e madhe, nuk kohë asnjë minutë për të humbur. Të rinjtë, gratë dhe intelektualët e Shqipërisë duan të dëgjohen dhe të trajtohen në mënyrën e merituar. Kjo është një mundësi e madhe që LSI e ka krijuar pa asnjë kufi, pa asnjë tabu. Duhet ta rrëmbejmë këtë moment dhe të mos e lëmë të na humbasë. Ky është momenti i të gjithë qytetarëve, nuk është vetëm momenti i LSI-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG