Lidhje

Vazhdojnë shqetësimet për të ardhmen e ekonomisë amerikane


Vazhdojnë shqetësimet për të ardhmen e ekonomisë amerikane
Vazhdojnë shqetësimet për të ardhmen e ekonomisë amerikane

Pas rënies më të madhe të bursës në tre vjetët e fundit, të shënuar në fund të javës së kaluar, gjendja ekonomike është bërë shqetësim për shumë vetë.

Në një treg fshatarësh në Uashington, shitësit e blerësit shprehin shqetësim për të ardhmen. Tom Adams është mësues në pension:

“Kalova një depresion në vitet 1930. Nuk më pëlqen kjo gjendje. Më ka hyrë frika”.

Me frikë janë edhe investitorët në Wall Street. Rënia e bursës gjatë javës së kaluar i fshiu gjithë fitimet që ishin arritur këtë vit në tregun e aksioneve.

Analisti i tregjeve David Xhouns thotë se ka shqetësim në rritje se ekonomia globale mund të bjerë në një tjetër recesion:

“Nuk është ekzagjerim po ta krahasojmë nivelin e panikut të javës së kaluar me atë panik që mbërtheu 3 vjet më parë”.

Megjithë shtimin e vendeve të punës në sektorin e prodhimit industrial dhe shërbime, ekonomistët thonë se vendet e punës duhet të shtohen me ritme 2 herë më të shpejta për të ulur papunësinë.

Srinivas Thiruvadanthai është drejtor i kërkimeve në Qendrën e Parashikimeve Xherom Levi:

“Ajo që vërejmë shkaktohet nga dobësimi i tregut të punës. Ritmet e këtij dobësimi nuk janë të njëtrajtshme dhe nuk është e qartë sa do të shtrihen. Ajo që dihet është se nuk e kemi kapërcyer ende rrezikun në këtë drejtim”.

Shtëpia e Bardhë e pohon këtë problem. Presidenti Barak Obama premtoi t’i kushtojë më shumë rëndësi problemit të papunësisë kur të kthehet në punë Kongresi muajin e ardhshëm:

“Ne duhet të krijojmë një cikël të vetë-qëndrueshëm ku njerëzit shpenzojnë dhe kompanitë marrin njerëz në punë dhe si rezultat ekonomia rritet. Kjo kërkon kohë. Por nga populli amerikan dhe partnerët tanë në botë kërkoj ta kenë të qartë se do ta kapërcejmë këtë gjendje dhe gjërat do të përmirësohen”.

Por disa amerikanë nuk presin nga qeveria. Sharon Xheremaja mbeti pa punë kur kompania e saj shkurtoi vende. Në vend që të presë për shanse të tjera, ajo ka vendosur të hapë biznesin e saj të dizenjimit dhe shitjes së bizhuterive:

“Mendova, ose do të rri e të shfrej për situatën ose do të përpiqem të gjej diçka për të bërë. Vendosa që të ngrihem e të bëj vetë diçka”.

Investitorët duken më të shqetësuar për reagimin e amerikanëve. Shqetësimet për ritmet e papunësisë kanë bërë që disa amerikanë të ulin aktivitetin ekonomik. Shpenzimet e konsumatorëve janë forca më e madhe ushqyese e ekonomisë amerikane, pasi përfaqësojnë 70 për qind të gjithë aktivitetit ekonomik.

XS
SM
MD
LG