Lidhje

Vazhdon marrja në pyetje e deputetit Limaj


Vazhdon marrja në pyetje e deputetit Limaj
Vazhdon marrja në pyetje e deputetit Limaj

Prokurorët e EULEX-it për të dytën ditë me radhë kanë marrë në pyetje deputetin e Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj, në kuadër të hetimeve të filluara në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, e cila atëhere drejtohej nga zoti Limaj.

Marrja në pyetje pritet të vazhdojë më 10 dhe 12 tetor. Marrja në pyetje e zotit Limaj, lidhur me dyshimet për korrupsion po ndodh në një periudhë, kur tashmë ka një akuzë për krime lufte të ngritur ndaj tij nga prokurorët e EULEX-it.

Ngritja e akuzës ishte përcjellë me debate rreth imunitetit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, që e bënte të pamundur arrestimin e zotit Limaj. Mbrëmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk kanë imunitet për veprimet jashtë fushëveprimit të tyre.

Opinioni i Gjykatës pasoi një kërkesë të qeverisë së Kosovës të bërë më 20 korrik lidhur me imunitetin e deputetëve të Parlamentit, presidentit dhe anëtarëve të qeverisë së Kosovës. Sipas gjykatës të gjithë këta gëzojnë imunitet funksional për veprimet dhe vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre përkatëse.

XS
SM
MD
LG