Lidhje

Egjipt: E ardhme e pasigurtë për Vëllazërinë Myslimane


Mendime të ndryshme rreth roli të kësaj organizate në jetën politike të Egjiptit

Për tetë dekada, Vëllazëria Myslimane e Egjiptit funksionoi si një parti politike e paligjshme. Kur iu dha mundësia, një prej anëtarve me peshë të këtij grupi, Mohamed Morsi, mbajti presidencën për një vit para se të përmbysej nga pushteti.

Vëllazëria Myslimane e Egjiptit mbahet e rrethuar që prej largimit nga pushteti prej ushtrisë të Presidentit Mohamed Morsi në fillim të korrikut.

Zoti Morsi është në pritje të gjyqit nën akuzat për nxitje të dhunës dhe për vrasje, ndërkohë që qeveria e përkohshme e mbështetur nga ushtria ka arrestuar shumë udhëheqës të Vëllazërisë Muslimane.

Forcat egjiptiane të sigurimit kanë shtypur përkrahësit e zotit Morsi, që zhvillojnë protesta masive, duke rezultuar në gjakderdhje nëpër rrugë.

Shibley Telhami, professor në Universitetin e Merilandit, me titullin Professor Anwar Sadat i Paqes dhe Zhvillimit, beson se Vëllazëria Myslimane ka humbur pushtetin, por nuk është jashtë arenës politike. Ai thotë se ky grup ka një elektorat besnik të fuqishëm, dhe më në fund ai do të rifitojë një pjesë të pushtetit të humbur.

“Vëllazëria Myslimane ende gëzon mbështetje. Shumë njerëz rrezikojnë të nënvlerësojnë ndikimin e saj, madje ajo nuk duhet të shpërfillet. Për Vëllazërinë Muslimane duhet krijuar një hapësirë politike ndërsa Egjipti përgatitet për zgjedhjet në të ardhmen”.

Shefi i forcave të armatosura të Egjiptit, Gjenerali Abdel Fatah el-Sissi, tha kohët e fundit se "në Egjipt ka vend për këdo", duke iu referuar pushtetit politik.

Por profesor Telhami thotë se shanset që Vëllazëria Myslimane të luajë rol në jetën politike të Egjiptit varen pjesërisht nga mënyra se si qeveria e trajton këtë grup, pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja dhe miratimit të kushtetutës së re. Për momentin, thotë ai, qeveria e përkohshme ka pikpamje të paqarta rreth kësaj organizate dikur e paligjshme.

“Ka njerëz që mendojnë se Vëllazëria Muslimane duhet të jashtëligjësohet. Mund të shikosh shenja se po bëhen përpjekje në këtë drejtim, duke mos iu dhënë asaj mundësi që të luajë rol në jetën politike të vendit. Ka gjithashtu nga ata njerëz që mendojnë se do t’i bëjnë presion Vëllazërisë Myslimane dhe do ta dobësojnë atë dhe më në fund të arrijnë një marrëveshje politike me të. Fituesi varet nga zhvillimet në koalicionin qeverisës, por do të ndikohet edhe nga fuqia e opozitës së Vëllazërisë Muslimane ndaj regjimit”.

Një ekspert tjetër i politikave egjiptiane, Eric Trager në Institutin e Politikave të Lindjes së Afërme në Uashington, është më pak i sigurtë nëse Vëllazëria Myslimane do të rifitojë pushtet politik.

Ai thotë se arrestimi i shumë prej udhëheqësve të lartë të grupit e ka dëmtuar rëndë atë.

“Vëllazëria Myslimane ka një numër mundësish për të ardhmen. Ajo mund të dëmtohet matanë riparimit për shkak të arrestimit të udhëheqësve të lartë si ata kombëtarë edhe ata provincialë. Një mundësi tjetër është dalja e udhëheqëve të rinj nga nivelet më të ulëta, por ekziston edhe mundësia e tretë që anëtarët besnikë të kësaj organizatë, duke mos pasur udhëheqës të aftë, t’u kthehen aktiviteteve islamike radikale, përfshirë edhe xhihadizmin”.

Eksperti thotë se as anëtarët e Vëllazërisë Myslimane nuk janë të sigurtë se çfarë drejtimi do të marrë organizata e tyre. Ai thekson se fati i këtij grupi është pjesë e një procesi evolimi.
XS
SM
MD
LG