Vendet në gjithë botën e mirëpritën dorëheqjen e presidentit egjiptian Hosni Mubarak, pas disa javëve presioni ndaj tij për reforma të menjëhershme.
Në Lindjen e Mesme, palestinezët në Gaza festonin dorëheqjen e Mubarakut. Hamasi e përshëndeti dorëheqjen si fillimin e një revolucioni egjiptian.
Në Izrael, një zyrtar i lartë i tha Zërit të Amerikës se dorëheqja e zotit Mubarak është moment i një rëndësie të veçantë në historinë e Egjiptit. Zyrtari tha se Izraeli shpreson të shohë një kalim paqësor dhe të qetë të pushtetit.
Zyrtarët thanë se traktati i paqes i Izraelit me Egjiptin duhet të ruhet si bazë stabiliteti në rajon.
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Kethrin Eshton tha se vendimi i zotit Mubarak për t’u larguar tregon se ai e ka dëgjuar zërin e popullit egjiptian dhe e ka lënë të ardhmen e vendit në duart e tyre. Ajo bëri thirrje për përshpejtimin e dialogut që të krijojë një qeveri që përmbush aspiratat e popullit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti vendimin e zotit Mubarak për t’ia dorëzuar pushtetin ushtrisë, nje “ndryshim historik” për Egjiptin.