Lidhje

Konsumi, tregtia dhe efektet e dëmshme të ndotjes


Ndotja e ajrit nga industria shkakton afro 3.5 milionë vdekje në vit, ndërsa tregtia ndërkombëtare po i zhvendos disa prej efekteve të dëmshme nga vendet konsumatore tek ato prodhuese, sipas një studimi të botuar në revistën “Natyra”. Steve Davis, një nga autorët e raportit, thotë se konsumi i lartë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Perëndimore ndikon tek shëndeti në vendet prodhuese si Kina.

Tregtia po zhvendos koston e ndotjes, siç është shembulli i lodrave për fëmijët amerikanë, thotë shkencëtari Steve Davis me Universitetin e Kalifornisë në Irvine.

“Zakonisht ato prodhohen në një pjesë tjetër të botës, kryesisht në Kinë. Duke blerë diçka të prodhuar në Kinë po zhvendosim ndotjen që shkaktohet nga procesi i prodhimi të këtij malli.”

Ndotja e ajrit nga mallrat dhe shërbimet për eksport shkaktoi 750 mijë vdekje në mbarë botën gjatë vitit 2007, viti i parë që u analizua.

Një pjesë e ndotjes nga rajonet lindore në Kinë, arrin në Japoni dhe Gadishullin Korean, duke shkatuar mijëra vdekje të parakohshme. Agjentët mikroskopikë ndotës përhapen nga era deri në Amerikën e Veriut.

Por elementët ndotës, që shkaktohen si rezultat i tregtisë amerikane dhe evropiane me Kinën, shkaktuan afro 110 mijë vdekje të parakohëshme gjatë vitit 2007 në Kinë.

Hulumtuesit thonë se ndërsa Kina bëhet një shoqëri konsumi, sektori i prodhimit po zhvendoset, por prirja është e ngjashme.

“Një pjesë e industrisë së prodhimit po zhvendoset nga Kina drejt vendeve në zhvillim si Kamboxhia, Vietnami dhe India”, thotë zoti Davis me Universitetin e Kalifornisë në Irvine.

Këto vende po paguajnë koston shëndetësore. Ndotja është problem madhor në qytetet industriale kineze, ndërsa vendi po përpiqet të pastrojë ajrin. Ndërkohë, ambjentalistët akuzojnë Presidentin Donald Trump se po tërhiqet nga angazhimi amerikan për uljen e ndotjes.

Presidenti ka ndërmarrë disa veprime për aanulimin e rregullave për ajrin e pastër të miratuara nga paraardhësi i tij, për të cilat thotë se kanë ndikime të vogla pozitive dhe dëmtojnë sektorin amerikan të punës. Nga ana tjetër, shkencëtarët si zoti Davis janë të shqetësuar.

“Ka shqetësime se në kërkim të përfitimeve ekonomike, ndoshta tani jemi të gatshëm të sakrifikojmë cilësinë e mjedisit. Është pak ironike se për pak kohë kemi drejtuar gishtin drejt Kinës.”

Autorët e studimit thonë se ndotja mjedisore e shkaktuar nga manifaktura dhe tregtia botërore, kërkon reagim global që balancon nevojën për ajër të pastër dhe rritje ekonomike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG