Ish Prokurorja e Përgjithshme e Venezuelës Luisa Ortega tha të mërkurën se largimi i saj nga detyra ishte i "paligjshëm" dhe synonte të ndërpriste hetimet e zyrtarëve të lartë për korrupsion.
"U largova në mënyrë të paligjshme nga pozicioni im", tha zonja Ortega, në një fjalim gjatë një takimi prokurorësh në kryeqytetin e Brazilit, Brazilia,. "Një person, u caktua të uzurpojë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të republikës. Një person i cili ka në tavolinë gjashtë hetime për korrupsion dhe masa e parë që ai mori ishte të kërkonte dokumenta për të mbyllur çështjet”, - tha ajo duke iu referuar Prokurorit të ri të Përgjithshëm të Venezuelës.
Zonja Ortega tha se zyrtarët e lartë në Venezuelë po shpresonin t’i mbanin të mbuluara një numër skandalesh korrupsioni, disa të lidhura me trafikun e drogës dhe terrorizmin.
Të premten e kaluar, ish Prokurorja e Përgjithshme e shkarkuar, së bashku me bashkëshortin, dy kritikë të fortë të presidentit Maduro, u arratisën nga Venezuela për në Kolumbi, ku kanë marrë azil politik.
Presidenti Maduro i ka kërkuar Interpolit të nxjerrë një urdhër-arresti për kritikët e tij.
Muaj të tërë protestash gati të përditshme në Venezuelë kundër presidentit Maduro kanë shkaktuar më shumë se 120 të vrarë dhe qindra të tjerë të plagosur. Shumë prej tyre janë burgosur.
Kriza ekonomike ka përfshirë vendin dhe opozita ka fajësuar për situatën politikat e ndjekuara nga presidenti Maduro. Qeveria ka argumentuar se opozita po punon me Shtetet e Bashkuara për rrëzimin me dhunë të presidentit.
Facebook Forum