Lidhje

Ndihmat për Venezuelën mbeten ende në Kolumbi


Tre avionë amerikanë transporti, ngarkuar me ndihma humanitare për Venezuelën, mbërritën në Cucuta të Kolumbisë të shtunën, duke iu shtuar tonelatave me ushqime dhe ilaçe që janë në pritje për të hyrë në Venezuelë.

Ndihma e dërguar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera nuk ka arritur akoma në Venezuelë, por ndodhet në qytete të Kolumbisë, Brazilit dhe Kuraçaos.

Presidenti i debatueshëm i Venezuelës, Nicolas Maduro – që nuk njihet nga Shtetet e Bashkuara - thotë se ndihma është e panevojshme dhe e paligjshme.

Venezuela vuan nga mangësi ushqimore dhe mjekësore si edhe artikuj të tjerë jetikë, si edhe ka inflacionin më të lartë në botë. Tre milionë vetë, pothuajse 10 për qind e popullsisë, kanë lënë vendin.

Juan Guaido, udhëheqësi i opozitës që njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera si president i përkohshëm, thotë se ka në plan t’i fusë ndihmat në vend më 23 shkurt dhe se do t’i bëjë publike detajet të hënën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG