Lidhje

Venezuela, nafta dhe politikat e Presidentit Hugo Çavez


Juramentación del Comando Nacional de Campaña Bolívar 200 en el Teatro Teresa Carreño (27 de mayo 2010
Juramentación del Comando Nacional de Campaña Bolívar 200 en el Teatro Teresa Carreño (27 de mayo 2010

Gjatë dekadës së fundit, prodhimi i naftës në Venezuelë ka rënë, megjithëse llogaritjet për rezervat e naftës janë shtuar. Rezervat me naftë të Venezuelës mendohet se janë më të mëdhatë në botë, duke i dhënë këtij vendi një potencial shumë të madh të ardhurash për dekada me radhë. Por është çështje debatesh nëse Presidenti Çavez do të jetë në gjendje ta ndihmojë vendin për realizimin e këtij potenciali.

Në Ditën e Pavarësisë, Presidenti Çavez e quajti pasurinë e naftës së Venezuelës si simbol të lirisë kombëtare. Venezuela e shtetëzoi industrinë e naftës në vitet 70-të, por Presidenti Çavez shfryn kundër interesave të huaja të naftës sikur kjo të kishte ndodhur dje.

"Kolonializmi me anë të naftës u vendos në Venezuelë dhe mbizotëroi politikën, kulturën dhe ekonominë tonë. Kjo ndodhi në shekullin e 20-të. Borgjezët parazitë u pasuruan dhe ua dorëzuan vendin të huajve", thotë Çavez.

Tani që industria e naftës është nën kontrollin e shtetit, zoti Çavez ka përgjegjësinë për adminstrimin e saj. Në shikim të parë, statistikat nuk janë inkurajuese. Ekspertët thonë se prodhimi ka rënë me një të tretën që kur ai erdhi në pushtet, duke e privuar vendin nga përfitimet e plota financiare, që mund të kishte vjelur në vitin 2008, kur çmimet e naftës arritën kulmin në rreth 140 dollarë për fuçi.

Venezuelasi Huan Karlos Sosa, analist nafte, thotë se qeveria ka përdorur fonde nga infrastruktura e naftës për realizimin e projekteve socialiste gjithnjë e më të shtrenjta.

"Që të kthehet në nivelet e prodhimit të vitit 1998, Venezuela duhet të investojë 10 deri 12 miliardë dollarë në vit gjatë 10 vjetëve të ardhshëm për të modernizuar operacionet e saj të naftës. Kjo nuk po bëhet, prandaj edhe situata është kritike".

Sikur kjo të mos mjafttonte, sipas analistit Sosa, qeveria pushoi nga puna mijëra teknikë të kompanisë shtetrore të naftës, PDVSA dhe i zëvëndësoi ata me punëtorë, kualifikimi kryesor i të cilëve është besnikëria ndaj Presidentit Çavez. Madje ai vë në dukje se një pjesë e madhe e prodhimit të naftës i dhurohet Kubës dhe vendeve të tjera të udhëhequra nga të majtët.

"Kuba merr nga Venezuela më shumë se 100,000 fuçi nafte në ditë pa paguar asgjë. Në këmbim, Kuba garanton shërbime mjeksore, trajnim sportiv dhe ndihma të tjera të fshehta, që nuk mund të kualifikohen në dollarë. Kjo është një marrëveshje ideologjike, por kompania PDVSA pëson humbje sepse mund t’ia shesë këtë naftë Shteteve të Bashkuara për përfitime financiare".

Presidenti Çavez nuk i përfill kritikat, duke vënë në dukje se Venezuela ka nënshkruar marrëveshje me Kinën dhe vende të tjera, që do të derdhnin dhjetra miliardë dollarë investime në infrastrukturën e naftës të vendit të tij. Krejt ndryshe nga parashikimet për rënie të mëtejshme të prodhimit, zoti Çavez parashikon dyfishimin e tij.

"Brënda pak vitesh, ne do të prodhojmë 5 milion fuçi naftë në ditë dhe më pas edhe 6 milion fuçi në ditë. Investimet tona në prodhimin e naftës gjatë 6 vjetëve të ardhshëm do të arrijnë një total prej 80 miliardë dollarësh. Dokumentat tashmë janë nënshkruar".

Venezuelasit kanë mendime të ndryshme për sa i përket menaxhimit të pasurisë së naftës së vendit të tyre. Një qytetar vlerëson karburantin fare të lirë që e blen vetëm disa qindarka për litër, por shton:

"Nga ana tjetër, nëse çmimet e karburantit do të ishin më të larta, ndoshta do të kishim para për ndërtim rrugësh dhe projekte të tjera".

Por kjo punëtore në repartin e tekstileve të kompanisë PDVSA e shikon çdo gjë pozitivisht.

"PDVSA më parë vetëm nxirrte naftë për të mbështetur të pasurit. Tani nafta përdoret për kujdesin shëndetësor, për ushqime, arsim dhe për të hapur vende pune. Ne kemi këtë qendër falë kompanisë PDVSA. Ajo financon çdo gjë dhe është kudo në ndihmë të njerzve. Siç ka thënë edhe presidenti, PDVSA i takon tani popullit".

Ekonomisti venezuelas Orlando Oçoa thotë se slloganet nacionaliste dhe retorika socialiste nuk mund të fshehin atë që ai shikon si një të vërtetë të thjeshtë: modeli i ndjekur nga presidenti Çavez nuk mund të mbijetojë për një kohë të gjatë.

"Çmimet e naftës për 6 mujorin e parë të këtij viti janë gati të njëjta me vitin 2006, një vit shumë i mirë për Venezuelën. Por tani të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për qeverinë, e cila ka shtuar shpenzimet e brëndshme, duke subvencionuar ushqimet dhe duke shtetëzuar ndërmarrjet private. Qeveria shpërndan gjithashtu shumë ndihma në botë. Në total, detyrimet e saj i tejkalojnë të ardhurat dhe kjo ka çuar në deficite tepër të mëdha buxhetore".

Por Oçoa e pranon se të ardhurat e vazhdueshme të naftës, edhe nëse janë të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet në rritje të qeverisë, do t’i bëjë të mundur Presidentit Çavez që ta shtyjë për një kohë të gjatë të vërtetën rreth prodhimit dhe burimeve të naftës së vendit të tij.

XS
SM
MD
LG