Lidhje

Venezuela, pasuria e saj e naftës dhe politikat socialiste të Presidentit Çavez


Venezuela, pasuria e saj e naftës dhe politikat socialiste të Presidentit Çavez
Venezuela, pasuria e saj e naftës dhe politikat socialiste të Presidentit Çavez

Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë dhe pasuria e naftës fuqizon fushatën e presidentit Hugo Çavez për çrrënjosjen e varfërisë dhe transformimin e vendit në një parajsë socialiste. Kritikët e akuzojnë qeverinë për menaxhim të keq të industrisë shtetërore të naftës, madje thonë se modeli Çavez nuk mund të mbijetojë. Por venezuelasit, të cilët përfitojnë nga kjo bujari e tij me naftën, vazhdojnë ta mbështesin presidentin dhe politikat e tij socialiste. Le të shikojmë në vazhdim se si përdoret pasuria e naftës në Venezuelë.

Lagje të varfëra nëpër kodra rrethojnë kryeqytetin Karakas; zona të dëshpëruara dhe të përfshira nga krimet: këto janë lagje plot probleme, ku Hugo Chavez ka një bazë mbështetjeje.

Presidenti ka investuar shumë për t’i përmirësuar këto komunitete. Kohët e fundit ai shkoi në lagjen 23 Janari për të inspektuar shtëpi të rinovuara me para të shtetit.

Këtu përdoren drejtpërdrejt fitimet nga industria e naftës. Presidenti Çavez i dha urdhër kompanisë shtetërore të naftës, PDVSA që të ndërtonte një qendër të madhe shërbimesh sociale.

Në klinikën mjeksore, 23 vjeçari Migel, po mer ndihmë mjeksore për gastrit.

"Nuk paguaj asgjë. Çdo shërbim këtu është falas për publikun dhe kjo duhet të vazhdojë dhe shpresoj që të vazhdojë sepse kështu ne do ta përmirësojmë Venezuelën".

Dhe kë falenderon ai për mjekimin falas?

"Presidentin Çavez. Ai e ka bërë të gjithë këtë me anë të revolucionit".

Aty pranë, punëtorët qepin rroba për punonjësit e kompanisë PDVSA dhe përkrahës të presidentit Çavez. Shumë njerëz në këtë forcë punëtore thonë se, në sektorin privat, nuk do të gjenin kurrë një punë, e jo pastaj një rrogë të mjaftueshme për të jetuar.

"Megjithëse jemi të moshuar, ne punojmë këtu. Kudo gjetkë kjo do të ishte e pamundur, e pamundur nëse ky do të ishte sektor privat".

Gjetkë në Karakas, me të ardhurat nga nafta u financua një shërbim tramvai për një lagje në kodër. Në një lagje tjetër, banorët i gëzohen një klinike dentare falas dhe një fushe basketbolli.

"Shumë njerëz pyesin: Ku shkojnë paratë e fituara nga nafta? Jam dëshmitar që një pjesë e këtyre parave është investuar këtu në komunitetin tim".

Por jo të gjithë janë kaq entusiastë. Në anën tjetër të kryeqytetit, në një prej lagjeve më të pasura të Karakasit, studentja e mjeksisë, Klaudia Peres e akuzon Presidentin Çavez se josh përkrahësit e tij në kurriz të gjithë të tjerëve.

"Ai kujdeset vetëm për ata njerëz që mbështesin atë dhe qeverinë e tij dhe jo për ata që kanë pikpamje të tjera".
Madje ajo thotë se programi i zotit Çavez nuk është largpamës.

"Nafta nuk mund të jetë çdo gjë. Një ditë ajo do të marrë fund dhe ne nuk po bëjmë asgjë për të gjetur burime të tjera".

Presidenti Çavez mburret se vendi i tij ka naftë për 100 vjetët e ardhshëm dhe këtu ai mund të ketë të drejtë.
Studime të reja gjeologjike tregojnë se rezervat e Venezuelës janë shumë më të mëdha se sa ato të Arabisë Saudite. Që një vend të ketë pasuri nafte është diçka pozitive, por përdorimi me mënçuri i burimeve është diçka krejt tjetër, thotë venezueliani Huan Karlos Sosa, analist nafte.

"Meqë gati të gjitha të ardhurat e naftës që merr kompania PDVSA i përdor për qëllime që nuk kanë lidhje me naftën, PDVSA nuk mund t’i mirëmbajë puset dhe t’i shfrytëzojë ato. Ajo nuk ka fondet e duhura, prandaj i duhet t’i mbyllë puset. Dhe meqë kompanitë e huaja nuk shikojnë të bëhen investime në operacionet e naftës, prodhimi është paralizuar".

Sipas analistit Sosa, prodhimi i naftës në Venezuelë ka rënë me një të tretën gjatë qeverisjes së zotit Çavez. Për këtë, ai fajëson programet sociale të PDVSA-së, të cilat janë shumë popullore mes të varfërve.

"Në vend që të përqëndrohet tek prodhimi i naftës dhe shitja e saj në botë, presidenti i kompanisë PDVSA shqetësohet për 1 mijë gjëra të tjera dhe asgjë nuk bëhet si duhet".

Dhe duke dhënë para për ndihma të drejtpërdrejta në vend që të përqëndrohet në zhvillimin afatgjatë, Presidenti Çavez po e maskon varfërinë në vend që ta zgjidhë atë, thotë ekonomisti Orlando Oçoa i Universitetit Katolik të Venezuelës.

"Pasuria e naftës mund të përdoret për të transformuar dhe për të përmirësuar bazën ekonomike të një vendi, si në rastin e Norvegjisë. Ose mund të përdoret për të kompensuar mungesat në balancën ekonomike, duke zgjatur kështu vështirësitë ekonomike, siç ka ndodhur në Venezuelë dhe në Iran".

Por Presidenti Çavez nuk kërkon falje për mënyrën se si i shpenzon të ardhurat nga nafta e Venezuelës.

"Ne po ndërtojmë spitale, universitete, shtëpi, autostrada dhe projekte për popullin siç është furnizimi me ujë. Të gjitha këto kërkojnë para".

Por këto para varen jo vetëm nga prodhimi i naftës, por edhe nga çmimi i naftës në tregjet botërore, mbi të cilin Presidenti Çavez nuk ka asnjë kontroll.

XS
SM
MD
LG