Lidhje

Venizelos do të dëgjojë popullin ndërsa kandidon për kreun e PASOK-ut


Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos u zotua sot se do të dëgjojë popullin ndërkohë që kandidon i vetëm për të marrë drejtimin e partisë socialiste PASOK. Zoti Venizelos tha se partia e tij do të ketë një fillim të ri ndërkohë që mori pjesë në votimet partiake sot në Athinë.

Ministri 55 vjeçar pritet të japë dorëheqjen nga posti të hënën pas konfirmimit si drejtuesi i ri PASOK-ut. Zoti Venizelos do të marrë drejtimin e partisë nga George Papanderou, i cili dha dorëheqjen si kryeministër i vendit në muajin nëntor.

Fokusi i menjëhershëm për zotin Venizelos do të jetë përgatitja e partisë për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen nga fundi i prillit dhe fillimi i majit.

Popullariteti i PASOK-ut ka rënë dhe anketat e opinionit tregojnë se asnjë parti nuk do të fitojë shumicën absolute në zgjedhje mes zemërimit të publikut lidhur me masat e ashpëra shtrenguese ekonomike.

Socialistët patën fituar bindëshëm në zgjedhjet e përgjithëshme të vitit 2009 por largimet nga partia dhe zemërimi publik lidhur me situatën ekonomike atje e detyroi partinë në pushtet që të formonte një qeveri të përkohëshme koalicioni me rivalët konservator nëntorin e kaluar.

Anketat e fundit të opinionit kanë treguar për rënie të mbështetjes në afro 11 përqind.

“Ne duhet t’u tregojmë njerëzve gjërat realiste dhe të përgjegjshme me një gjuhë të vërtetë, sepse vendi ynë, mund të qëndrojë përsëri në këmbët e veta vetëm kur jemi të bashkuar në solidaritet”.

Sikurse vetë Greqia, PASOK po vuan nga probleme serioze borxhesh. Partia nuk e ka paguar stafin prej disa muajsh dhe anëtarët që votuan sot iu desh të paguajnë 2 euro për të hedhur votën.

XS
SM
MD
LG