Lidhje

Veriu i Kosovës, sfidë për vendosjen e sundimit të ligjit


Veriu i Kosovës, sfidë për vendosjen e sundimit të ligjit
Veriu i Kosovës, sfidë për vendosjen e sundimit të ligjit

Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë, thonë se ndër përparësitë kryesore të punës së tyre këtë vit është vendosja e sundimit të ligjit në tërë Kosovën, përfshirë edhe veriun e saj të trazuar. Ky synim ishte çështja e kryesore e debateve edhe në takimin e sotëm të mekanizimit të përbashkët të EULEX-it dhe qeverisë së Kosovës për sundimin e ligjit. Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac tha se janë tri fusha në të cilët misioni i tij do të jetë i përqendruar gjatë këtij viti, duke filluar me forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“E dyta është mbështetja e bisedimeve Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe e treta është rivendosja e lëvizjes së lirë dhe operacioneve tonë në veriun e Kosovës”, tha zoti De Marnhac.

Në mbështetje të këtyre synimeve citohet të jetë shprehur edhe përfaqësuesi i ri i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar, i cili nga sot edhe zyrtarisht merr përsipër këtë detyrë. Mediat sllovene prej nga vjen zoti Zhbogar e citojnë atë të ketë thënë se duhet të bëhen përpjekje për të çuar përpara bisedimet që do t’i mundësonin Serbisë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ndërsa Kosova të gjejë mënyrën për t’u përfaqësuar në forumet rajonale e ndërkombëtare, një çështje kjo e cila ka bërë që të ngecin përpjekjet për rifillimin e bisedimeve.

Zoti Zhbogar citohet të ketë thënë se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një program gjithëpërfshirës për veriun e Kosovës. Prishtina ndërkaq ngulë këmbë se çështja e veriut duhet të zgjidhet në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, e cila kundërshtohet nga Beogradi.

Veriu i Kosovës është skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë, ndërsa rrugët në atë zonë po mbahen ende të bllokuara në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës. Përfaqësuesit lokal politikë kanë paralajmëruar për mesin e shkurtit një referendum në të cilin qytetarët e atjeshëm do të deklaroheshin nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Prishtinës. Ky referendum i cili cilësohet i paligjshëm e i pavlefshëm nga Prishtina, është kundërshtuar edhe pushteti në Beograd, por mbështetet nga opozita në Serbi.

XS
SM
MD
LG