Lidhje

Veteranët kinezë kujtojnë luftën koreane


Pjesëmarrja e Kinës në luftën koreane e ndryshoi gjeopolitikën e Azisë në fillim të Luftës së Ftohtë. Tani, 60 vjet pasi ai konflikt përfundoi, Kina vazhdon të jetë aleatja kryesore e Koresë së Veriut. Por kjo marrëdhënie nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, pavarësisht nga idealet politike të përbashkëta të dy vendeve.

Shtatë muaj pas turit të parë në Luftën Koreane, Zhang Kuiyan u godit me armë zjarri nga një avion amerikan. Ai po ngiste një kamion me furnizime nga Kina në Korenë e Veriut natën, me dritat e shuajtura. Ai thotë se lufta përkrah vëllezërve koreanë ishte e vështirë.
“Ne nuk kishim shumë kontakt me koreano-veriorët, përveç rasteve kur vepronim së bashku në të njëjtat kodra. Në përgjithësi, ne shkonim në një drejtim, kurse ata në një tjetër”.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Koresë së Veriut janë përshkruar për një kohë të gjatë si shumë të ngushta. Por gjatë luftës, të dy palët pothuajse nuk kishin komunikim.

“Kishte një disiplinë aq të fortë, saqë na ishte ndaluar të kishim kontakt me banorët vendas. Komunikimi i zakonshëm lejohej, por jo shoqërimi me koreanët. Ne shqetësoheshim se një gjë e tillë do të krijonte probleme”.

Zhang Yuzeng kaloi lumin Yalu për në Korenë e Veriut ditën kur mbushi 22 vjeç. Ai luftoi në vijën e parë të frontit në jug të Phenianit. Ai thotë se ushtarët kinezë luftonin me guxim dhe nuk shfaqnin aspak frikë në sheshin e betejës.

“Koreano-veriorët nuk ishin luftëtarë dhe aq të mirë. Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, Kim Il Sung mblodhi trupat në veri-lindje për të luftuar në Kore. Por edhe pse ai luftoi, kjo nuk pati rezultat, vendi u nda në pjesë.”

Megjithëse Kina dhe Koreja e Veriut ishin në vijën e parë të frontit të lëvizjes socialiste botërore, mosbesimi që ekzistonte dhe një hendek në aftësitë e tyre, krijuan përçarje mes ushtarëve koreanë dhe atyre kinezë.

Shen Zhihua, një historian i luftës koreane thotë se gjatë konfliktit, udhëheqësi rus Josif Stalin ndërhyri disa herë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Të dyja palët kishin mosmarrëveshje lidhur me drejtimin e forcave në betejë, se ku duhej të vendosej vija e frontit, si dhe lidhur me transportin.

“Gjatë luftës, ushtria kineze dhe ajo koreano-veriore, Mao Ce Duni dhe Kim Il Sung kishin pikëpamje të kundërta për të gjitha çështjet strategjike bazë”.

Pavarësisht nga këto mospërputhje, lufta krijoi një marrëdhënie që zgjati për dekada. Por vitet e fundit, provat bërthamore dhe provokimet e Veriut kanë shkaktuar një çarje tjetër në marrëdhëniet mes të dy vendeve.

“Koreja e Veriut po e tepron, po e vë Kinën në pozitë të vështirë. Ata zhvillojnë një provë bërthamore dhe i tregojnë Kinës vetëm 20 minuta përpara, ndërkohë që të gjithë të tjerët e dinë. E si mund të quhet më kjo një marrëdhënie e veçantë?”

Sot, për shumë kinezë, Koreja e Veriut është një vend turistik i pazakontë. Nipërit dhe mbesat e atyre që luftuan për të çliruar Korenë, thotë Shen, do të preferonin që Kina të çlirohej nga lidhjet historike me Phenianin.
XS
SM
MD
LG