Ali Reza Pahlavi, djali i vogël i shahut të ndjerë të Iranit, bëri vetëvrasje të martën në shtëpinë e tij në qytetin verilindor amerikan të Bostonit.
Zoti Pahlavi, i lindur më 1966, ishte 13 vjeç kur shahu dhe familja e tij u larguan nga Teherani gjatë revolucionit islamik që shpërtheu në vend më 1979. Një faqe interneti e botuar nga vëllai i tij i madh tha se Ali Rezai ishte përpjekur me vite të tëra të tejkalonte depresionin për shkak të fatit që pësoi vendi i tij dhe pas humbjes së të atit në moshë të re.
Pa konfirmuar indentitetit e zotit Pahlavi, policia e Bostonit tha se kishin gjetur të vdekur një burrë 44-vjeç, i cili kishte qëlluar të martën veten me armë zjarri në shtëpinë e tij në qytet.
Monarku i dëbuar i Iranit, Shahu Muhamed Reza Pahlavi, vdiq nga kanceri në Kajro më 1980, një vit pasi braktisi vendin e tij.
Ali Reza Pahlavi u shpërngul në Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së babait dhe më vonë u diplomua në universitetet Prinston dhe Kolumbia. Njëherësh, kreu edhe studime postdiplomike pranë Universitetit Harvard për iranistikë dhe filologji.