Lidhje

SHBA bën thirrje për koalicion anti-Assad


SHBA bën thirrje për koalicion anti-Assad
SHBA bën thirrje për koalicion anti-Assad

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton bëri sot thirrje që "miqtë e Sirisë demokratike" të kërkojnë t'i jepet fund shtypjes së përgjakshme të protestuesve nga ana e Presidentit Bashar Al-Assad dhe të nxisin një tranzicion politik që do të sillte largimin e e tij nga posti.

Zonja Clinton foli në kryeqytetin e Bullgarisë Sofje, një ditë pasi Rusia dhe Kina bllokuan një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kishte mbështetur plotësisht planin e Lidhjes Arabe ku bëhej thirrje për dorëheqjen e zotit Assad dhe për t’iu dhënë fund dhunës dhe për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ajo e quajti veton e Kinës dhe Rusisë një "farsë" dhe u zotua të punojë me vende të tjera për të forcuar sanksionet rajonale dhe kombëtare dhe për t'i eliminuar burimet e fondeve dhe armëve që e mbajnë gjallë makinën e luftës së regjimit.

Zyrtarë amerikanë dhe vende të tjera aleate do të punonin gjithashtu për të bashkuar grupet opozitare siriane brenda dhe jashtë vendit, për të siguruar ndihmë humanitare dhe vëzhguar shitjen e armëve ndaj Damaskut. Pjesëmarrës të mundshëm njanë Turqia, vendet arabe dhe vendet evropian-perëndimore.

Vetoja e Rusisë dhe Kinës ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Sirinë që dënon shtypjen e presidentit Bashar al-Assad ndaj popullit sirian dhe kërkon largimin e tij nga pushteti, ka shkaktuar zemërim në mbarë botën.Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon e ka dënuar dështimin për miratimin e rezolutës, duke thënë se këshilli humbi shansin për të ndërmarrë veprime të unifikuara për të ndihmuar në dhënien fund të krizës.

Kryeministri i Tunizisë tha sot se vendi i tij po ndërpret marrëdhëniet me Sirinë dhe u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera arabe që të bëjnë të njëjtën gjë.

13 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit votuan pro rezolutës, përfshi Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Gjermaninë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle tha sot se nuk ka të ardhme për presidentin e Sirisë Bashar Assad, ndërkohë që dhuna vazhdon në Siri.

Komentet e zotit Westerwelle vinë një ditë pas vetos së Rusisë dhe Kinës që bllokoi përsëri Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të ndërmarë një veprim vendimtar për të ndaluar dhunën në rritje në Siri.

Duke folur gjatë një takimi të përvitshëm për sigurinë në Munich të Gjermanisë, kryediplomati Westerwelle shprehu mundësinë e një përpjekje tjetër për të nxitur një rezolutë për Sirinë në Këshillin e Sigurimit.

“Mendoj se është e mundur dhe nuk përjashton munëdësinë e paraqitjes para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Është e nevojshme që ne të koordinojmë nga afër gjithçka me partnerët në këshill dhe Lidhjen Arabe. ”

Vetoja ruse dhe kineze ndaj rezolutës në Këshillin e Sigurimit shkaktoi kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët evropianë dhe arabë të këshillit. Moska dhe Pekini e përdorën veton e tyre mes një zemërimi ndërkombëtar lidhur me bombardimin shkatërrues të qytetit Homs nga forcat e Assadit.

Ndërkohë, televizioni shtetëror sirian transmetoi sot pamje të presidentit Bashar al-Assad që merrte pjesë në një festë fetare që shënon lindjen e Profetit Muhamed.

Televizioni tregoi pamje të zotit Assad dhe figurave qeveritare dhe fetare që qëndronin përkrah tij. Ai dukej i qetë gjatë ceremonisë, duke mos lënë të kuptohet kaosi që rrethon regjimin e tij.

Aktivistët sirianë thonë se më shumë se 200 njerëz u vranë gjatë natës gjatë një bombardimi shkatërrues të qytetit Homs nga forcat e Assadit, në episodin më të përgjakshëm deri tani të kryengritjes 11 mujore.

Të shtunën Këshilli i Sigurimit të OKB-së dështoi përsëri që të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar dhunën në rritje në Siri. Damasku ka qënë një aleat i rendësishëm i Rusisë që nga koha sovjetike dhe Moska ka kundërshtuar çdo thirrje nga OKB-ja që mund të interpretohet si mbrotje për ndërhyrje ushtarake apo ndryshim të regjimit.

XS
SM
MD
LG