Lidhje

Vëzhguesit e BE mbi zgjedhjet në Maqedoni

  • Leonat Shehu

Vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë të hënën se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Maqedoni ishin konkurruese dhe një hap thelbësor në zgjidhjen e krizës së thellë dy vjeçare. Ata thanë se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të karakterizuar me mosbesim të përhapur publik në institucionet dhe sistemin politik dhe ende mbeten sfidë çështja e mediave dhe regjistrimi i votuesve. Rreth 8 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën votimet e së dielës në Maqedoni.

Vëzhguesit ndërkombëtar thanë sot se zgjedhjet e djeshme në Maqedoni ishin konkurruese dhe një hap thelbësor në zgjidhjen e krizës së thellë dy vjeçare.

Rreth 8 mijë vëzhgues ndoqën nga afër procesin i cili u vlerësua i qetë dhe pa probleme të mëdha që do të mund ta dëmtonin atë.

Sipas vëzhguesve zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të karakterizuar me mosbesim të përhapur publik në institucionet dhe sistemin politik. Ata thanë po ashtu se me gjithë dakordimet për ndryshime ligjore për të siguruar zgjedhje të drejta, ende mbeten sfidë çështja e mediave dhe regjistrimi i votuesve.

Bashkërenduesi i posaçëm dhe kryesuesi I misionit afat-shkurtër të OSBE, Roberto Batelli tha se dalja e lartë e votuesve në këto zgjedhje dëshmon se ata e kanë kuptuar rolin e tyre për të ardhmen e vendit.

“Partitë politike tani kanë përgjegjësi për t’i plotësuar këto pritje. Ata duhet të shfrytëzojnë këtë moment dhe mandatin që iu është dhënë për të vazhduar me reformat e nevojshme për të ardhmen e vendit”, tha zoti Batelli.

Udhëheqësja e ekipit vëzhgues të ODIHR-ir, Tana de Zulueta tha se votimet dhe numërimi i votave ka qenë në përgjithësi I mirë dhe transparent.

“Disa nga procedurat, misionet dhe parregullsitë kanë qenë të njoftuara më herët nga vëzhguesit. Ne po ashtu kemi bërë të ditur se përfshirja e rëndësishme e partive politike dhe shoqërisë civile në dhënien e transparencës në proces, këta akterë së bashku me Komisionin Zgjedhor dhe institucionet tjera do të jenë jetike në përmirësimin e mëtejmë të zgjedhjeve në këtë vend”, tha ajo.

Edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shkup, Jess Baily, në një konferencë për gazetarë përshëndeti qytetarët e Maqedonisë për zgjedhjet që i cilësoi konkurruese dhe tha se të drejtat e njeriut përgjithësisht janë respektuar. Ai nënvizoi shqetësimin e përbashkët me organizatat vëzhguese lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve dhe i bëri thirrje qeverisë së ardhshme që të përballet me afidat për të siguruar zgjedhje të rregullta.

“Zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin hapi i parë i rëndësishëm për ta larguar Maqedoninë nga kriza politike. Ne inkurajojmë partitë politike që do të formojnë qeverinë e re që të punojë në mënyrë konstruktive me opozitën, që të miratojë reformat që do të shtyjnë më tej procesin e integrimeve euro-atlantike, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit”, tha ambasadori Baily duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët tjerë do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë në këtë përpjekje.

XS
SM
MD
LG