Lidhje

Virxhinia në prag të votimit për guvernatorin


Qytetarët e shtetit të Virxhinias, në kufi me Uashingtonin, do të zgjedhin guvernatorin e tyre të ri nesër. Sipas sondazheve, kandidati republikan Ken Cuccinelli, një kritik i ashpër i ligjit për sigurimet shëndetsore të presidentit Barack Obama, ka më pak mbështetje sesa ai i Partisë Demokrate Terry McAuliffe.

“Ligji për sigurimet shëndetsore përfaqëson një nga zgjerimet më të mëdha dhe më të pamatura të qeverisë gjatë më shumë se 200 vjet historie të vendit tonë.”

Ky qëndrim i bën jehonë pikëpamjeve të ligjvënësve republikanë, kundërvënia e të cilëve ndaj këtij ligji ndihmoi në mbylljen e pjesshme të qeverisë federale muajin e kaluar.

Disa vëzhgues politikë do ta interpretonin humbjen e zotit Cuccinelli kundër kandidatit demokrat Terry McAuliffe si një kundërshtim ndaj partisë republikane në tërësi, dhe një tregues të mundshëm problemesh për partinë për zgjedhjet e vitit të ardhshëm të Kongresit.

E ardhmja e republikanëve duket më premtuese në Nju Xhersi, ku guvernatori Chris Christie pritet të rizgjidhet. Zoti Christie nuk u është shmangur çështjeve kombëtare, dhe kohët e fundit komentoi mbi aktivitetet e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara.

“Kam qenë gjithmonë i mendimit se këto programe janë të domosdoshme, por duhet t’i nënshtrohen mbikqyrjes së nevojshme.”

Suksesi i guvernatorit Christie në një shtet tradicionalisht demokrat ka tërhequr vëmendjen e vendit, dhe ka patur spekulime se ai do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, një mundësi që guvernatori nuk e përjashton.

Ndërkohë, çështja e të drejtave të homoseksualëve rikthehet në Selinë e Kongresit këtë javë. Senati amerikan pritet të votojë mbi një projekt-ligj për të parandaluar diskriminim në punë në bazë të orientimit seksual. Ai ka mbështetjen e shumicës demokrate dhe të presidentit Obama.

“Po ia bëjmë të qartë çdo senatori i cili mund të jetë në mëdyshje ose mund të mos ketë shprehur mbështetje për projektligjin se ne besojmë se një votë pro është vota e drejtë.”

Nëse projekt-ligji miratohet nga Senati, fati i Ligjit Kundër-Diskriminit në Punë është i paqartë në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët. Në shumë shtete amerikane, homoseksualët nuk kanë të drejta ligjore nëse pushohen nga puna në bazë të orientimit seksual.
XS
SM
MD
LG