Lidhje

Tiranë: Komisioni i sigurisë debaton mbi përgjimet


Komisioni parlamentar i sigurisë zhvilloi sot një seancë dëgjimore me drejtues të institucioneve kryesore mbi dyshimet nëse janë kryer apo jo nga policia përgjime të paligjshme telefonatash të politikanëve në kryeqytet.

Opozita ka ngritur shqetësimin se një pajisje përgjimi ka hyrë në Shqipëri prej dy muajsh në shkelje të ligjit dhe u përdor në mënyrë të paligjshme nga policia për të përgjuar biseda telefonike në zona të ndryshme të Tiranës.

Debati mbi përgjimet
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

“Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe as mund të ketë asnjë pajisje përgjimi. Policia e Shtetit bën detyrën e saj, në përpjekjen maksimale për të reformuar sektorin e sigurisë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë një standard të ri shërbimi e sigurie qytetarit shqiptar” - tha ministri i brendshëm, Saimir Tahiri.

Ai shtoi se policia po ndjek një program trajnimesh për të rritur profesionalizmin e vet, ku nuk po shkel asnjë ligj dhe po vepron vetëm në bazë të ligjit.

“Policia disponon një pajisje për trajnim. Ajo është pronë, menaxhim, disponim, përdorim nga partnerët italianë. Pajisje përgjimi nuk ka pasur kurrë, nuk ka e nuk mund të ketë. Policia e shtetit do zbatojë ligjin, në zbatim të ligjit hyn edhe ekzekutimi i urdhrave të prokurorit, nuk ka ndodhur që të jetë penguar prokuroria në ndonjë aktivitet hetimor” - tha ministri Tahiri.

Shqetësimi për një pajisje përgjimi nisi nga një informacioni i shërbimit sekret se një pajisje e tillë kishte hyrë pa u regjistruar në kufi dhe ishte vendosur në Vlorë.

Prokuroria nisi hetimet mbi ardhjen në Shqipëri të një pajisje përgjimi, për të cilën, si tha drejtuesi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, më tej janë interesuar hetuesit dhe prokurorët.

“Ne morëm një informacion se një pajisje e tillë erdhi pa u regjistruar në rregull dhe se u vendos fillimisht në Vlorë. Njoftuam për këtë vetëm prokurorin e përgjithshëm dhe nuk patem më informacion, sepse ishte detyrë e prokurorisë zbardhja e ngjarjes” - tha ai.

Dyshimet mbi përgjime të paligjshme kanë zënë vend kryesor në debatet e fundit midis qeverisë dhe opozitës, e cila beson se përgjimet janë kryer dhe se përgjegjës për to është kryeministri Edi Rama.

Në debat u përfshi edhe presidenti Bujar Nishani, i cili akuzoi qeverinë se po pengon hetimin e prokurorisë lidhur me dyshimet për përgjime të paligjshme nga ana e policisë.

Zoti Nishani kërkoi që qeveria t’i dorëzojë hetuesve pajisjen e kërkuar nga prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për procesin e hetimit.

XS
SM
MD
LG