Lidhje

70 vjetori i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës


Këtë muaj, Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës feston 70 vjetorin e fillimit të transmetimeve.
Presidentë, diplomatë, anëtarë të Kongresit amerikan, zyrtarë dhe analistë të çështjeve të Ballkanit morën pjesë në një ceremoni emocionale që u zhvillua me këtë rast në selinë e Zërit të Amerikës në Uashington. Të gjithë folësit shprehën vlerësimin e tyre për punën e shërbimit të Zërit të Amerikës në shqip në vite, fillimisht përmes radios dhe më pas edhe përmes televizionit dhe internet, për transparencën dhe si përçuese e së vërtetës. Një nga folësit, anëtari i Kongresit nga New York, Eliot Engel tha me shaka se ishte intervistuar kaq shumë herë nga Zëri i Amerikës në shqip, sa që kur vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën atë e kishin njohur shumë njerëz. Nëpërmjet mesazheve të regjistruara, të pranishmit në ceremoni i përshëndetën presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilët vlerësuan rolin e Zërit të Amerikës në përgjithësi dhe të Shërbimit Shqip në veçanti. Presidenti i Shqipërisë nderuoi me medalje Zërin e Amerikës dhe drejtorin e divizionit të Euro-Azisë, Elez Biberaj.
Ish senatori amerikan, Dennis DeConcini tha se Zëri i Amerikës vazhdon të jetë një institucion i rëndësishëm për përhapjen e informacionit në botë, ndërsa ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas përmbysjes së komunizmit, William Ryerson kujtoi përgatitjet për vizitën e Sekretarit të Shtetit James Baker në Shqipëri në vitin 1991. Kolegja jonë Zamira Edwards, e cila filloi punën në Zërin e Amerikës bashkë me motrën e saj Isabela, pas arratisjes së tyre nga Shqipëria me not në gusht të vitit 1984, kujtoi natën kur të dy motrat bashkë me vëllanë e tyre Klement u hodhën natën në ujrat e Detit Jon dhe notuan drejt ishullit grek të Korfuzit. Zamira tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë se një ditë do të punonte për Zërin e Amerikës, të cilin ajo e përshkroi si një "mision fisnik".
Sot pas 70 vjetësh, Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në përhapjen e lajmeve dhe të informacioneve me një audiencë javore prej 48 për qind në Shqipëri dhe 57 për qind në Kosovë dhe për këtë ne ju falenderojmë ju, audiencën tonë. Të shtunën dhe të dielën ne ju ftojmë të ndiqni një kronikë më të zgjeruar rreth ceremonisë së djeshme me rastin e 70 vjetorit të shërbimit në shqip të Zërit të Amerikës.
XS
SM
MD
LG