Lidhje

Një vit mbas fjalimit të presidentit Obama në Kajro


Para një viti, Presidenti Obama mbajti në Kairo një fjalim me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve në botë. Ai u përpoq të shfaqte respektin amerikan për Islamin dhe të sinjalizonte fundin e politikave të paraardhësit të tij, Xhorxh W. Bush, luftërat e të cilit në Irak dhe në Afganistan thelluan dyshimet në të dy anët. Sot, një vit më pas, Zëri i Amerikës intervistoi një numër myslimanësh – nga vendet arabe, Azia e Jugut dhe Indonezia – për të parë se ç’mendojnë ata, pra nëse zoti Obama i ka përmbushur premtimet. Përgjithësisht, të intervistuarit shprehën zhgënjim.

Fjalimi i zotit Obama ngjalli shpresën për ngushtimin e dallimeve mes myslimanëve dhe Amerikës në shumë fronte – fetar, shoqëror dhe ekonomik.

“Për sa kohë që marrëdhëniet tona të përkufizohen nga dallimet, ne do të fuqizojmë ata që ndjellin urrejtjen e jo paqen, ata që nxisin konfliktin e jo bashkëpunimin që mund t’i ndihmojë të gjithë popujve tanë të arrijnë drejtësi dhe përparim.”

Sot, disa mendojnë se premtimet e tij të mëdha mund të kenë qenë e meta thelbësore e fjalimit. Hala Mustafa, redaktore e revistës egjiptiane Demokracia, ishte e pranishme gjatë fjalimit.

“Më duket se kushdo që ishte aty dëgjoi dhe ndjeu atë që deshi të dëgjonte. Kështu që nëse ti punon për demokracinë, e ke dëgjuar. Nëse je në anën e qeverisë, ke dëgjuar atë që do të të kënaqte. Sa i përket ecurisë së paqes, kujtoj se palestinezët dhe izraelitët kanë dëgjuar secili atë që dëshiron të dëgjojë. Sidoqoftë, sot pas një viti, arritjet janë shumë të vogla, gati asgjë.”

Said Sadek, profesor në Universitetin Amerikan në Kairo, është dakord me këtë.

“Kur erdhi këtu dhe mbajti fjalim në Universitetin e Kairos, njerëzit brohorisnin ‘të duam Obama! Të duam Obama!’ Sot në përgjithësi ka apati, zhgënjim.”

Jashtë Universitetit të Kairos, ku zoti Obama u prit me duartrokitje të stuhishme, ky student jep mendim të përzier.

“Shumicën e gjërave për të cilat foli, disa i ka bërë, të tjerat nuk i ka bërë. Foli për luftën në Irak dhe për tërheqjen e trupave dhe se Iraku do të jetë i lirë. Këtë s’e e kemi parë akoma. Për Afganistanin, tha se gjendja do të përmirësohet, por po përkeqësohet.”

Në vende me shumicë myslimane, jo të gjithë po humbasin shpresën. Indonezia ka popullsinë më të madhe myslimane në botë. Zoti Obama jetoi në Indonezi për një kohë gjatë fëmijërisë dhe do të shkojë atje në mes të qershorit. Disa argumentojnë se dështimi në përmirësimin e marrëdhënieve nuk është faji i zotit Obama.

“Nuk mendoj se Amerika mund të ndryshojë aq shpejt, vetëm duke dëgjuar fjalimin e Obamës. Unë besoj se do të ndryshojë ngadalë, por nuk do të ndryshojë aq shumë.”

Izraeli luan rol të veçantë në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve. Në Kairo, zoti Obama premtoi se do të kundërshtonte vendbanimet e reja izraelite në territoret e pushtuara. Ndërtimet e vendbanimeve kanë vazhduar. Megjithatë në Indonezi, disa shohin përparim.

“Me mbështetjen ndaj Rripit të Gazës dhe bisedimet e reja ndërmjet Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Izraelit, shoh se diçka ka ndryshuar. Kështu që fjalimi ka pasur ndikim.”

Ndërkaq, ka edhe shumë dyshime.

Në Pakistan, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në sulmin kundër zonave fisnore talibane në afërsi të kufirit afgan. Goditjet me avionë pa pilotë në bazat talibane nuk janë të mirëpritura nga pakistanezët.

Një student në Islamabad u shpreh kështu për Presidentin Obama.

“Ai ka vijuar politikën e Bushit për krijimin e terrorizmit. Ata nuk po zhvillojnë marrëdhënie të mira me të gjithë myslimanët. Ata po përpiqen të na vrasin.”

Një tjetër student, Saif Shah, e vazhdon diskutimin më tej.

“Besoj se Obama ose cilido udhëheqës tjetër duhet të përcjellë mesazhin te populli, të lë temën e urrejtjes dhe të njohë vlerat njerëzore, çka është vlera e njerëzve në çdo fe.”

Kjo pasqyron atë që zoti Obama e tha në Kairo para një viti.

“Amerika dhe Islami nuk përjashtojnë njëri-tjetrin dhe nuk kanë nevojë t’i bëjnë konkurrencë njëri-tjetrit. Në realitet, ata ndërlidhen dhe ndajnë parime të përbashkëta – parimet e drejtësisë dhe përparimit; tolerancës dhe dinjitetit të të gjitha qenieve njerëzore. E them këtë i vetëdijshëm se ndryshimet nuk mund të ndodhin brenda natës.”

Duke parashikuar kritika, edhe vetë presidenti bëri thirrje për durim.

XS
SM
MD
LG